Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në seancën e së mërkurës dha mbrojtjen i akuzuari Alban Bibaj i cili po ngarkohet për “Nxitje të përçarjes dhe mosdurimit”. Ai deklaroi se postimet e tij i ka bërë për të treguar një të vërtetë që ka ndodhur, që të solidarizohet me popullin e Sirisë.
I akuzuari tha se nuk i ka bërë postimet që të nxisë përçarje, por për të treguar se si janë duke vuajtur populli i Sirisë, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Ndër tjerash, ai tha se jo vetëm me postimin konkret, por me asnjë postim nuk ka bërë thirrje që të shikojë dikush në luftë, por sikur ta kishte bërë një thirrje të tillë, ai tha se do ishte atje dhe do kishte shkuar në luftë e nuk do të bënte thirrje nga Kosova.
Po ashtu, Bibaj tha se simbolet shtetërore edhe kombëtare janë vetëm për tu identifikuar dhe nuk meritojnë që të madhështohen deri në pozitë që të adhurohen.
Këtë deklarim, i akuzuari e bëri pasi që u pyet nga prokurori i rastit Atdhe Dema, se pse në foton ku shihej edhe flamuri kombëtar shqiptar, mbi të kishte vendosur shenjën X.
Paraprakisht, në këtë seancë u bë administrimi i provave materiale, pasi që prokurori Dema, propozoi që provat e propozuara si në aktakuzë të administrohen.
Seanca përfundoi pasi që mbrojtja- avokati Blerim Bajrami nuk ishte i gatshëm për të vazhduar me dhënien e fjalës përfundimtare, andaj u caktua për një datë të radhës.
Në seancën fillestare më 21 gusht 2025, Bibaj u deklarua i pafajshëm për akuzën që i vihet në barrë.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës të ngritur më 13 gusht 2025, Alban Bibaj akuzohet se ka nxitur dhe përhapur publikisht urrejtje dhe mosdurim midis grupeve fetare, si dhe ka propaganduar ideologji ekstreme fetare. Aty thuhet se prej vitit 2019 e deri më 22 maj 2025 përmes rrjetit social Facebook, në profilin e tij me emrin “Ubejdullah Abu Suhejla”, ka shpërndarë postime me përmbajtje nixitëse, përmes së cilave ka bërë thirrje për t’iu bashkuar luftërave të armatosura dhe luftën për xhihad, si dhe postime tjera ku shpërfaq thirrje të fuqishme të ekstremizmit fetar dhe publikish përkrah veprimet të cilat janë bërë nga sheti islamik “ISIS” si dhe duke bërë thirrje për të kundërshtuar sistemin demokratik, simbolet shtetërore si dhe Ligjet që votohen apo burojnë nga Parlamenti apo Qeveria e vendit dhe se duhet të pranohen vetëm ligjet e “Sheriatit”.
Akakuza thotë se ai ka publikuar fotografi të ISIS-it, flamuj tjerë kombëtarë të kryqëzuar, materiale propagandistike, video me persona të ndryshëm të radikalizuar, nga të cilat postime potencialisht mund të prish rendin publik.
Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit” nga neni 141, par.1 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi/

