Rreth 8,000 persona u mblodhën në Francë në një protestë kundër përdorimit të pesticideve në bujqësi. Tubimi u zhvillua në Saint-Pierre-la-Garenne, pranë një impianti të kompanisë Syngenta, prodhues i farërave dhe produkteve për mbrojtjen e bimëve.
Sipas vlerësimeve të prefekturës lokale, në protestë morën pjesë rreth 8,000 qytetarë. Demonstrata u mbështet nga rreth 50 organizata, mes tyre shoqata joqeveritare dhe një prej sindikatave kryesore bujqësore në Francë.
Kundërshtime ndaj politikave për pesticidet
Protestuesit shprehën kundërshtimin e tyre ndaj përdorimit të pesticideve dhe kritikuan disa prej masave ligjore të miratuara apo të propozuara në Francë dhe në nivel europian.
Në fokus të protestës ishin edhe dispozitat e ligjit të emergjencës për bujqësinë, si dhe propozimet europiane që lidhen me përdorimin dhe rregullimin e pesticideve.
Në duart e protestuesve u panë pankarta me mesazhe kundër përdorimit të pesticideve, ndërsa disa prej sloganeve ishin: “Pa pesticide këtu, askund tjetër” dhe “Bota e së nesërmes fillon në pjatat tona”.
Aktivistët e lëvizjes “Kryengritje për Tokën” deklaruan se protesta është pjesë e një fushate më të gjerë. Sipas tyre, tubime të tjera pritet të zhvillohen edhe në Zvicër dhe Angli.

