Caktimi i Alejandro Hernández Hernández për ta gjykuar El Clásicon mes Barcelonës dhe Real Madridit ka shkaktuar menjëherë polemika në Spanjë.
Sipas raportimeve, referi spanjoll pritet të jetë gjyqtari i përballjes së madhe të 25 tetorit në Camp Nou.
Edhe pse caktimi ende nuk është zyrtarizuar, lajmi ka shkaktuar reagime të forta, sidomos në kampin madrilen.
Në rrjetet sociale dhe në mediat pranë Real Madridit janë rikthyer në vëmendje disa prej vendimeve të diskutueshme të Hernández Hernández në ndeshjet e mëparshme mes dy skuadrave.
Në veçanti përmendet El Clásico e vitit të kaluar, kur gjyqtari nuk akordoi penallti për një prekje me dorë të Aurélien Tchouaménit brenda zonës.
Episodi shkaktoi shumë diskutime dhe mbeti njëri nga momentet më të debatuar të asaj ndeshjeje.
Tani, pas lajmit për caktimin e tij të mundshëm, në Madrid kanë shpërthyer reagimet.
“Hernández Hernández është tifoz i Barcelonës”, është një nga akuzat që po qarkullon në rrjetet sociale dhe në disa media të afërta me Real Madridin.
Referi nga Ishujt Kanarie është prej vitesh një figurë e njohur dhe kontroverse në futbollin spanjoll.
Ai e ka drejtuar disa herë El Clásicon dhe vendimet e tij kanë qenë në qendër të kritikave nga të dyja palët.
El Clásico i radhës, Barcelona–Real Madrid, është planifikuar për 25 tetor, ndërsa pritet të jetë një tjetër përballje me tension të madh, jo vetëm në fushë, por edhe jashtë saj.

