“A do të dal?”: Frika që i kap minatorët e Trepçës kur ndalet rryma

by Nexhat

“Kur ndalet rryma, mendja menjëherë të shkon te dalja: A do të dal?”

Kjo është frika që Ymer Meholli thotë se e ka përjetuar tri herë gjatë 15 vjetëve të punës në Minierën e Stantërgut, afër Mitrovicës, e cila është pjesë e ndërmarrjes minerare Trepça.

banner

Mbrëmjen e 7 tetorit, rreth orës 19:30, ai ndodhej rreth 800 metra nën tokë, bashkë me 62 minatorë të tjerë, kur një avari ndërpreu furnizimin me energji elektrike.

Ashensori ndaloi së funksionuari dhe, sipas tij, bashkë me të edhe ventilimi.

“Kur ndalet rryma, është një lloj stresi. A vjen, a s’vjen, a po mbetem… Të kap paniku”, rrëfen 45-vjeçari për Radion Evropa e Lirë.

Pas gati dy orësh pritjeje, Meholli dhe 17 kolegë vendosën të dilnin përmes shkallëve emergjente.

Ngjitja nga horizonti i 11-të deri në sipërfaqe u mori edhe dy orë e gjysmë.

“Të gjithë jemi lodhur, kishim ftohje të duarve dhe këmbëve. Disa më as nuk kishin fuqi”, thotë ai.

Gjithsej 54 minatorë dolën në grupe përmes shkallëve. Nëntë të tjerë, që kishin vështirësi fizike dhe shëndetësore, pritën rikthimin e energjisë dhe dolën rreth orës 02:50 të mëngjesit të 8 tetorit.

Të gjithë dolën pa lëndime, por incidenti nuk ishte i izoluar.

Katër incidente, një problem i pazgjidhur

Më 11 janar të këtij viti, pesë punëtorë mbetën të bllokuar për nëntë orë në Minierën e Stantërgut, për shkak të problemeve me energjinë.

Dy javë më vonë, më 26 janar, një tjetër ndërprerje la minatorë të bllokuar për gjashtë deri në shtatë orë.

Problemi u përsërit edhe më 14 maj. Nga 47 punëtorët që ndodheshin në minierë atëkohë, 29 dolën përmes rrugëve emergjente, ndërsa 18 të tjerë mbetën nën tokë për më shumë se dhjetë orë.

Pas këtij incidenti, ministrja e atëhershme në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, paralajmëroi hetim për të përcaktuar shkaqet e avarisë dhe nëse ajo mund të ishte parandaluar.

Edhe Policia e Kosovës konfirmoi nisjen e hetimeve dhe njoftimin e prokurorit.

Por, pesë muaj më vonë, pas një tjetër incidenti në Stantërg, mbetet e paqartë se çfarë kanë konstatuar hetimet dhe nëse janë ndërmarrë masa për të parandaluar raste të ngjashme.

Radio Evropa e Lirë kërkoi sqarime nga Ministria e Ekonomisë, por nuk mori përgjigje.

Punonjës të ndërmarrjes Trepça pranë vendin ku gjendet trafoja e djegur, që furnizonte horizontin e 11-të të minierës, në Stantërg. Tetor 2026.
Punonjës të ndërmarrjes Trepça pranë vendin ku gjendet trafoja e djegur, që furnizonte horizontin e 11-të të minierës, në Stantërg. Tetor 2026.

Avaritë e majit dhe tetorit ndodhën në sistemin elektrik 35 kilovoltë, ndonëse nuk u konfirmua se kishin të njëjtin shkak teknik.

Në të dyja rastet, minatorët u detyruan të përdornin shkallët emergjente ose të prisnin rikthimin e energjisë për të dalë nga nëntoka.

Për Sindikatën e Pavarur të Minatorëve të Trepçës, incidentet e përsëritura janë paralajmërim për gjendjen e sigurisë.

“Pajisjet janë të vjetruara, duhen investime në sistemin energjetik”, thotë kryetari i saj, Ibrahim Jonuzi, për Radion Evropa e Lirë.

Pa mjete pune në minierën e Trepçës

Minatorë në horizontin e dhjetë të Minierës se Stantërgut, Mitrovicë e Jugut.
Tre minatorë në grevë në një nga objektet minierës së Stantërgut. Ata kërkojnë paga dhe kushte më të mira pune. 

Ai paralajmëron se jo të gjithë minatorët mund ta përballojnë ngjitjen përmes shkallëve emergjente, veçanërisht ata me vështirësi shëndetësore ose fizike.

Sindikata kërkon hetim të plotë, përcaktim të përgjegjësive dhe investime urgjente, sipas tij.

“Nuk mund të presim tragjedinë për të reaguar”, paralajmëroi Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës në një reagim publik më 8 tetor.

Pa linjë rezervë që nga përfundimi i luftës

Shyqyri Sadiku, udhëheqës i njësisë biznesore Miniera me Flotacion Trepça-Stantërg, konfirmon se miniera furnizohet me energji elektrike vetëm përmes një linje.

“Faktikisht kanë qenë dy linja, por prej pas përfundimit të luftës është vetëm një”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë, duke iu referuar luftës së viteve 1998-1999.

Sipas tij, ndërmarrja i ka kërkuar Ministrisë së Ekonomisë funksionalizimin e linjës së dytë, por nuk ka një afat për realizimin e saj.

“Ne jemi interesuar edhe për gjeneratorët në treg, por nuk ka të tillë që e përballojnë ngarkesën elektrike”, shton Sadiku.

Ish-drejtori i Trepçës, Basri Ibrahimi, thotë se funksionalizimi i linjës së dytë ose instalimi i një gjeneratori me kapacitet të mjaftueshëm për ashensorin do të zvogëlonte rrezikun që minatorët të mbeteshin të bllokuar gjatë avarive.

“Furnizimi alternativ është i domosdoshëm për të shmangur bllokimin e minatorëve në rast të avarive”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Kush duhet të garantojë sigurinë?

Kosova ka legjislacion të posaçëm për sigurinë në miniera.

Ligji nr. 05/L-062 për Sigurinë në Punë në Veprimtarinë Minerare, i vitit 2016, shoqërohet me rregullore që përcaktojnë masat e sigurisë, përdorimin e pajisjeve dhe organizimin e ekipeve të shpëtimit.

Megjithatë, mbetet e paqartë nëse sistemet e ventilimit, ndriçimit, komunikimit dhe evakuimit në Stantërg janë vlerësuar si të mjaftueshme për të garantuar sigurinë e minatorëve gjatë ndërprerjeve të energjisë elektrike.

Radio Evropa e Lirë kërkoi sqarime nga Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM) – institucioni përgjegjës për rregullimin dhe mbikëqyrjen e veprimtarive minerare – nëse kishte kryer një vlerësim të tillë, por nuk mori përgjigje.

Pa përgjigje mbetën edhe pyetjet drejtuar Ministrisë së Ekonomisë dhe menaxhmentit të Trepçës për investimet në infrastrukturën elektrike, masat e sigurisë dhe funksionalizimin e linjës rezervë.

Ministria nuk sqaroi as nëse e kishte pranuar kërkesën për linjën e dytë të furnizimit me energji elektrike dhe nëse ekziston një plan për financimin e saj.

Pasuria e ‘ndryshkur’ e Trepçës

Makineri e vjetruar dhe jashtë funksionit e Metalurgjisë së zinkut.
Parku industrial i kombinatit Trepça në Mitrovicë. 

Trepça, një nga komplekset kryesore minerare të Kosovës, përballet prej dekadash me probleme financiare dhe teknike.

Qeveria zotëron 80 për qind të aksioneve të ndërmarrjes, ndërsa 20 për qind u takojnë punonjësve.

Përtej problemeve me energjinë

Problemet me furnizimin me energji janë vetëm një pjesë e vështirësive me të cilat përballet Trepça, dikur një nga komplekset më të mëdha industriale në ish-Jugosllavi.

Në fund të viteve ‘80, ndërmarrja numëronte mbi 22 mijë punonjës dhe përfshinte miniera, shkritore e fabrika për përpunimin e metaleve.

Rënia e saj u thellua nga zhvillimet politike të viteve ‘90 dhe lufta e viteve 1998-1999, ndërsa mungesa e investimeve pas luftës pengoi rikthimin e kapaciteteve të dikurshme.

Sot, Trepça përballet me pajisje të vjetruara, mungesë investimesh dhe probleme financiare, ndërsa minatorët ankohen për kushte të rënda pune dhe paga të ulëta.

Në qershor, menaxhmenti pranoi se kontributet pensionale të punëtorëve nuk ishin paguar që nga viti 2022, ndonëse shumat përkatëse u ishin ndalur nga pagat.

Pavarësisht këtyre vështirësive, ndërmarrja ka raportuar rritje të prodhimit dhe eksporteve gjatë vitit 2026.

Për Mehollin, ndërprerjet e energjisë nuk janë vetëm problem teknik.

Ato shkaktojnë shqetësim edhe te familjarët, të cilët nuk mund t’i kontaktojnë drejtpërdrejt minatorët gjatë punës në nëntokë.

“Normalisht që kanë qenë të shqetësuar, si çdo familje që ka pasur anëtarë poshtë”, përfundon ai.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy