Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, ka vazhduar të ushtrojë presion lidhur me rastin Negreira, në të cilin Barcelona akuzohet se i ka paguar para Jose Maria Enriquez Negreiras, zëvendëspresident i komitetit teknik të arbitrave në Federatën Spanjolle të Futbollit nga viti 1994 deri në vitin 2018.
Në qendër të rastit janë pagesat që Negreira dhe kompanitë e lidhura me të kanë marrë nga Barcelona gjatë shumë viteve.
Të dhënat në dosjen e hetimit tregojnë se shuma i kalon 7.5 milionë eurot për periudhën 2001-2018, të paguara në këmbim të raporteve mbi arbitrat.
Barcelona mohon çdo shkelje dhe këmbëngul se pagesat mbulonin shërbime këshillimore dhe raporte teknike për arbitrat.
Mourinho nuk i kursen fjalët kur bëhet fjalë për këtë çështje, siç e bëri të qartë sot për kanalin “Prime Video Italia”.
“Do të them vetëm një gjë: i përgëzoj italianët”, tha Mourinho.
“A e dini pse? Sepse është i vetmi vend që ka përjetuar një skandal si Calciopoli, në çdo kuptim të fjalës”, shtoi ai.
Ai vazhdoi: “Sa i përket Spanjës, me atë që ndodhi, dhe të gjithë e dinë se çfarë ndodhi, situata ende nuk është e qartë. Deri më tani, nuk ka ndodhur asgjë. Absolutisht asgjë”.
I pyetur nëse priste që diçka të ndryshonte, portugezi e përforcoi edhe më shumë qëndrimin e tij: “Nëse nuk ndodh asgjë, atëherë ky mund të jetë skandali më i madh i korrupsionit në historinë e arbitrimit botëror”.
Këto janë tema të njohura për Mourinhon dhe Italia është vendi i natyrshëm për t’i ngritur ato. Skandali Calciopoli bëri që Juventusi të dërgohej në kategorinë e dytë.
Vetëm pak ditë më parë, ai i kishte thënë gazetës “Corriere dello Sport”: “Unë e përjetova periudhën e rëndësishme të rastit Negreira këtu te Real Madridi. Askush nuk dinte për të, por ne e përjetuam. Ndodhi. Ndodhi. Unë u largova më pas dhe tani të gjithë e dinë”

