Deputeti i LDK’së, Lutfi Haziri, ka reaguar në profilin e tij në ‘facebook’, pasi tashmë kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, flet hapur për ambicien e tij për ta marrë nën udhëheqje LDK’në.
Megjithatë sipas Hazirit, nuk është mirë që të flitet për një temë të tillë ende pa u hapur zyrtarisht gara zgejdhore.
“Pa e hapur garën zgjedhore e kalendarin në të gjitha nivelet, nuk i kontribuojmë demokracisë së saj nëse shkaktojmë debat se kush është më i miri për garën e brendshme”, ka shkruar Haziri.
Reagimi i plotë:
Viti 2027 është vit i zgjedhjeve të brendshme me të gjitha vlerat të cilat i sublimon LDK.
Ne jemi parti e vlerave të demokracisë, garës së drejtë dhe mirënjohës për të gjithë ata që kontribuan e ndërtuan për 37 vite këtë aset kombëtar.
LDK është shtëpi e besimtarëve të saj, është besë e shpresë për Republikën e Kosovës dhe shqiptarët.
Misioni ynë duhet të arrihet deri në kthimin e besimit dhe bashkimin e shqiptarëve, duke qenë gjithmonë mirënjohës e falënderues për partnerët tanë, me vendosmërinë për marrëdhënie speciale me SHBA-të, me Evropën si shtëpi e përbashkët dhe NATO-n si aleanca e vetme.
Pa e hapur garën zgjedhore e kalendarin në të gjitha nivelet, nuk i kontribuojmë demokracisë së saj nëse shkaktojmë debat se kush është më i miri për garën e brendshme.
Secili që mundet, përmes shembullit personal të suksesit, kontributit e meritës, duhet të garantojë rikthimin e madh të LDK-së. Ai apo ajo le të ftohet nga votuesit për besim në garë.
Rruga evropiane e Kosovës kalon nëpër zyrat e LDK-së dhe partnerëve të saj. Koha për mirëbesim, bashkëpunim e marrëveshje të madhe, që gara e ardhshme zgjedhore t’i bashkojë të gjithë qytetarët në shpresë e besë për LDK-në dhe shqiptarët.

