Lamine Yamal është në qendër të debatit në Spanjë, pasi vendimi që të mos udhëtojë me përfaqësuesen për ndeshjen ndaj Çekisë ka shkaktuar reagime të shumta.
Sulmuesi i Barcelonës do t’i bashkohet ekipit kombëtar të premten, me synimin që të jetë i gatshëm për përballjen ndaj Anglisë, të dielën.
Disa komentues dhe analistë kanë ngritur dyshime se futbollisti po zgjedh ndeshjet në të cilat dëshiron të paraqitet.
Gazetari Edu Aguirre ishte ndër më të ashprit në kritikat e tij: “Nëse nuk je aty për ndeshjen e së enjtes, atëherë nuk je as për të dielën. Pikë. Nuk më pëlqejnë këto përzgjedhje sipas dëshirës”.
Kritika të ngjashme pati edhe nga gazetari Miguel Talavera, i cili paralajmëroi se një vendim i tillë krijon përshtypjen se lojtarët e veçantë mund të bëjnë çfarë të duan.
Ndërkohë, disa zëra kanë akuzuar edhe Barcelonën se po ushtron ndikim te federata për ta ruajtur yllin e saj.
Përballë këtyre reagimeve, përzgjedhësi Luis de la Fuente doli në mbrojtje të Yamalit.
“Ai nuk ka asgjë serioze. Ishte i gatshëm për të luajtur, por nuk ia vlente të rrezikonim. Nëse do të kishim pasur nevojë urgjente, me siguri do ta aktivizonim. Në radhë të parë mendojmë për shëndetin e tij”, deklaroi trajneri.

