Gjykata Supreme e Kosovës ka shfuqizuar në tërësi Rregulloren e Brendshme Nr. 01/2026 të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), përmes së cilës ishte bërë ri-klasifikimi i tetë pozitave të punës, duke lënë jashtë këtij procesi pozitat e pesë zyrtarëve që e kishin kontestuar aktin në gjykatë.
Supremja e ka aprovuar si të themeltë kërkesëpadinë e pesë paditësve, me inicialet V.E., B.A., A.B.-B., V.K. dhe N.H., të paraqitur kundër KQZ-së, duke konstatuar se rregullorja ishte në kundërshtim me ligjin.
Me këtë aktgjykim është shfuqizuar edhe Shtojca I – Organogrami i Sekretariatit të KQZ-së.
Në arsyetimin e vendimit, Gjykata Supreme ka konstatuar se KQZ-ja nuk kishte ofruar analizë funksionale që do ta justifikonte përfshirjen e vetëm tetë pozitave në procesin e ri-klasifikimit dhe përjashtimin e pozitave të paditësve.
Po ashtu, sipas Gjykatës, KQZ-ja nuk kishte paraqitur arsye konkrete për dallimet në natyrën e detyrave, nivelin e përgjegjësive dhe kompetencat ndërmjet pozitave që ishin përfshirë në proces dhe atyre që ishin lënë jashtë tij.
Supremja ka vlerësuar se zbatimi i rregullores kishte mundësuar ndryshimin e koeficienteve të pagave për zyrtarët që mbanin tetë pozitat e ri-klasifikuara, ndërsa pozitat e paditësve kishin mbetur jashtë këtij procesi. Sipas Gjykatës, ky dallim në trajtim nuk ishte mbështetur në arsye objektive dhe të arsyeshme.
Në aktgjykim theksohet se zyrtarët që ndodhen në situata të njëjta ose të krahasueshme duhet të trajtohen në mënyrë të barabartë, përveç rasteve kur dallimet në trajtim justifikohen përmes kritereve të qarta, objektive dhe të verifikueshme.
Gjykata ka nënvizuar se ri-klasifikimi i pozitave duhet të bazohet në natyrën dhe përgjegjësitë e funksioneve, e jo në përzgjedhjen e pozitave pa arsyetim të qartë.
Në vendimin e saj, Supremja i është referuar edhe aktgjykimit P.A.nr. 24/2026, të 17 shtatorit 2026, përmes të cilit kishte shfuqizuar nenin 7 të Rregullores Nr. 01/2026.
Duke vlerësuar se dispozitat e tjera të rregullores ishin të ndërlidhura në mënyrë të pandashme me nenin e shfuqizuar dhe nuk kishin efekt juridik të pavarur, Gjykata ka vendosur që shfuqizimi të përfshijë të gjithë aktin, përfshirë edhe organogramin e Sekretariatit të KQZ-së.

