Prokurorët në Kosovë, ndonëse bëjnë shkelje gjatë trajtimit të disa rasteve, ata nuk ballafaqohen me masa disiplinore shumë të rënda. Në 4 raste, kur është konstatuar se viktimave iu janë shkelur të drejtat e njeriut, masa më e rëndë e marr nga Këshilli Prokurorial është zvogëlimi i pagës 30%. Kjo po shihet si amnisti nga shoqëria civile, të cilët thonë se është e domosdoshme që sa më shpejtë të fillojë procesi i vettingut.
Masa më e rëndë e shqiptuar ndaj një prokurori, në rastet kur është konstatuar se ka pasur shkelje të të drejtave të njeriut, është “zvogëlimi i përkohshëm deri në 30% i pagës për 6 muaj”.
Në rastin kur ishte shqiptuar kjo masë ndaj prokurorit përgjegjës, viktima ishte dhunuar seksualisht, për çka e kishte paraqitur rastin në organet e drejtësisë por prokurori e kishte liruar dhunuesin, i cili e kishte vrarë pastaj të ndjerin.
Masë edhe më e ulët, ishte shqiptuar ndaj prokurores që trajtoi rastin e Lirije Qerimajt, që denoncoi burrin e saj për dhunë, e cila pastaj edhe ishte vrarë.
KPK-ja asaj i shqiptoi vetëm “vërejtje publike me shkrim”.
Në një përgjigje të Këshillit Prokurorial, është thënë se ky institucion në kuadër të ndërmarrjeve të masave për llogaridhënie, në rastet e shkeljeve të të drejtave të njeriut, ka iniciuar procedura disiplinore në 4 raste, njëri nga ta i nisur tash së voni, e cili është në trajtim
“Ju lutem gjeji më poshtë përgjigjet lidhur me ndërmarrjen e masave nga KPK-ja për llogaridhënie ndaj zyrtarëve përgjegjës në rastet e shkeljes së të drejtave të njeriut, me ç’rast janë iniciuar dhe zhvilluar procedurat disiplinore ndaj prokurorëve për këto raste:
“Për rastin e dhunimit të të miturit në vitin – 2019 është zhvilluar procedura disiplinore dhe ndaj prokurorit të rastit, me ç’rast iu ka shqiptuar sanksioni disiplinor “Zvogëlim i përkohshëm i pagës 30% për një periudhë kohore gjashtë (6) muaj ‘’, Për rastin e vrasjes në vitin – 2022 është zhvilluar procedura disiplinore dhe ndaj prokurorit të rastit, me ç’rast iu ka shqiptuar sanksioni disiplinor “Vërejtje publike me shkrim”; Për rastin e dhunimit të të miturës në vitin – 2022 është zhvilluar procedura disiplinore dhe ndaj prokurorit të rastit, me ç’rast iu ka shqiptuar sanksioni disiplinor “Vërejtje jo publike me shkrim” dhe Për rastin e vrasjes së viktimës nga ish bashkëshorti i saj në vitin – 2021, nga Autoriteti Kompetent është iniciuar kërkesa për fillimin e hetimit disiplinor ndaj prokurorit të rastit. Për këtë rast, Këshilli Prokurorial i Kosovës do ta themelojë Panelin Hetimor për zhvillimin e procedurës disiplinore ndaj prokurorit të rastit (ky rast është në procedurë e sipër)”, thuhet nga KËSHILLI PROKURORIAL I KOSOVËS
Masat e tilla, që merren nga panelet hetimore të KPK-së, po shihen si të buta dhe të pamjaftueshme nga organizatat joqeveritare, derisa thonë se me këto masa vetëm po amnistohen prokurorët.
“Politikat ndëshkimore janë shumë të ulta, unë besoj se duhet të ketë një ndryshim ligjor, edhe në këtë drejtim edhe duhet të jenë më të rrepta…Është për keqardhje që nuk ka shkarkime, besoj që për disa shkelje do duhej të kishte edhe shkarkim, po me siguri do duhej të kishte levizhe transferim, nga një departament në tjetrin”, ka thënë Luljeta Aliu – INJECT.
“Në vazhdimësi Këshilli Prokurorial i Kosovës, në përgjithësi ka shqiptuar masa të buta disiplinore ndaj prokurorëve, shumica e masave disiplinore të shqiptuara ndaj prokurorëve kanë qenë vërejtje publike me shkrim, apo vërejtje jo publike me shkrim. Psh, nëse e shohim në vitin 2021 por edhe në vitin 2022, heren e fundit masa më e rëndë e shqiptuar ka qenë transferimi i përhershëm i një prokurori nga një prokurori në një prokurori tjeter, nëse i shohim këto masa të buta i bie se mekanizmat e brendshem te kontrollit brenda KPK nuk po funksionojnë”, ka thënë Lavdim Makshana – Hulumtues në IKD.
Dështim të mekanizmave të brendshëm për të kërkuar llogari për rastet kur prokurorët dështojnë, e quan edhe avokati Yll Zekaj, i cili shton se vettingu është zgjidhja më e mirë.
“Dhe për këtë arsye është shtuar edhe cështja shumë e domosdoshme e vettingut, në sistemin e drejtësisë për shkak se mekanizmat e brendshem kanë dështuar që të arrijnë qëllimin e tyre, e që në këtë rast është marrja e vendimeve ndaj atyre prokurorëve që bëjnë shkelje qoftë të kodit të etikës së prokurorëve apo shkleje ligjore, në raste janë shumë raste të rralla në të cilat këshilli prokurorial me vetë iniciative ka marr ndonjë vendim apo ka inicuar ndonjë procedurë”, ka thënë Yll Zekaj – Avokat.
Sipas nenit 7 të Ligjit për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve, janë 5 sanksione disiplinore të parapara, në rastet kur konstatohet shkelje.
Masa e parë është vërejtje jopublike me shkrim, e dyta është vërejtje publike me shkrim, zvogëlim i përkohshëm i pagës deri në 50 % për një periudhë deri në një vit, transferimi i përkohshëm ose i përhershëm në një prokurori të nivelit më të ulët, dhe masa e fundit dhe më e renda, propozimi për shkarkim.