Suksesi i radhës në kinematografinë kosovare. Filmi “Prishtinë 2002”, me regji nga Trendelinë Halili dhe producent Ermal Gërdovci, është selektuar të jetë pjesë e festivalit më të madh të filmit në Islandë, “Reykjavik International Film Festival”. Ky festival çdo vit mirëpret artistë të mëdhenj të botës së kinemasë.
Filmi tregon rrëfimin e Letit, një adoleshente, e cila fillon të shndërrohet në një karakter të ri për t’i bërë përshtypje shoqes së saj Donës, e cila është shumë imponuese.
“Prishtinë 2002” pati premierën botërore në “Clermont-Ferrand International Film Festival” në Francë. Më pas rrugëtimi i filmit vazhdoi edhe në shumë festivale të tjera.
“Prishtinë 2002” do të shfaqet në ekranet e Islandës në kuadër të edicionit të 20-të të festivalit, i cili do të mbahet përgjatë datave 28 shtator deri më 8 tetor 2023.
Realizimi i filmit është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe Komuna e Prishtinës dhe prodhuar nga shtëpia e filmit “Kandërr”.