Ligjvënësit e Dhomës së Përfaqësuesve zgjodhën të mërkurën republikanin Mike Johnson, një ligjvënës konservator, me pak përvojë në drejtim, si kryetar të kësaj Dhome.
Ky zhvillim pason një periudhë të trazuar tre javore për zgjedhjen e kreut të ri për shkak të ndasive në gjirin e republikanëve.
Punimet e dhomës ishin të bllokuara ndërsa vendit i duhet të trajtojë çështje të rëndësishme sikurse kriza në Lindje të Mesme apo mosmarrëveshjet mbi buxhetin, që rrezikojnë sërish mbylljen e qeverisë.
Me 220 vota pro dhe 209 kundër, ligjvënësi 51 vjeçar Johson, u zgjodh kryetar duke plotësuar vendin e lënë bosh të krijuar nga shkarkimi i ligjvënësit republikan Kevin McCarthy, më 3 tetor, me iniciativë të një grup ligjvënësish republikanë të vijës së ashpër. /VOA/