Dy shpërthime kanë lënë të vrarë të paktën 103 persona dhe kanë plagosur dhjetëra të tjerë në një ceremoni përkujtimore në Iran që shënon përvjetorin e katërt të vrasjes nga SHBA të Qassem Suleimani, kreut të Forcës Quds të Iranit dhe një prej njerëzve më të fuqishëm në Lindjen e Mesme.
Një zyrtar i lartë i quajti shpërthimet një sulm “terrorist”, pa dhënë detaje se kush mund të qëndronte pas tyre
Raportet e dëshmitarëve okularë flisnin për dy shpërthime me një distancë prej 10 minutash në qytetin jug-qendror të Kermanit, ndërsa disa raporte tregojnë për katër shpërthime të ndryshme, duke sugjeruar se incidenti ishte një sulm shumë i sofistikuar.
Sipas Irna Neës, shpërthimi i parë ndodhi 700 metra nga vendi i varrimit të Suleimanit dhe i dyti ishte një kilometër larg, shkruan The Guardian,
Mediat shtetërore në Iran cituan Babak Yektaparast, një zëdhënës i shërbimit të urgjencës të vendit, të thoshte se 73 njerëz ishin vrarë dhe 170 të plagosur. Televizioni shtetëror më vonë raportoi se numri i të vdekurve ishte rritur në 103.
Fillimisht, zyrtarët lokalë thanë se nuk dihej nëse shpërthimet ishin për shkak të bombolave të gazit apo sulmuesve vetëvrasës. Zyrtarët më vonë thanë se shpërthimet ndodhën nga dy bomba që u shpërthyen nga distanca dhe e klasifikuan incidentin si terrorizëm.
Shpërthimet ndodhën në rrugët që të çojnë në Golzar Shohada, varrezat e Kopshtit të Dëshmorëve në Kerman. Trupi i Sulejmanit është varrosur në varreza së bashku me 1024 persona të tjerë të konsideruar si dëshmorë dhe ky vend është bërë një vend vizite për mbështetësit e të ashtuquajturit “boshti i rezistencës” kundër SHBA-së dhe perëndimit.
Suleimani u vra në një sulm me dron amerikan në Bagdad në vitin 2020 dhe shihej si lideri që drejtonte forcat ‘proxy’ iraniane në Irak dhe Siri