Ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant ka folur sërish për përshkallëzimin e mundshëm të konfliktit në kufirin me Libanin, dhe tha se ushtria izraelite nuk ka frikë nga konflikti, shkruan Times of Israel.
Në një intervistë për Wall Street Journal, Gallant tha se gjithçka që Izraeli aplikoi në Gaza mund të zbatohet edhe në Liban
“Ndërsa prioriteti ynë nuk është të shkojmë në luftë me Hezbollahun, 80,000 njerëz duhet të jenë në gjendje të kthehen të sigurt në shtëpitë e tyre. Nëse gjithçka tjetër dështon, ne jemi të përgatitur të bëjmë sakrificën”, tha Gallant.
Ai tha se të gjithë në Liban janë të vetëdijshëm për aftësitë e Izraelit
“Ata shohin se çfarë po ndodh në Gaza. Ata e dinë që ne mund të bëjmë copy-paste në Bejrut”, tha ministri izraelit i Mbrojtjes.
Në ditët e fundit, konflikti mes Hezbollahut dhe ushtrisë izraelite është intensifikuar dhe dhjetëra raketa janë lëshuar nga të dyja palët. Tensionet u përshkallëzuan veçanërisht pas vrasjes së një prej liderëve të Hamasit në Bejrut.
“Nëse armiku po mendon për luftë kundër Libanit, ne do të luftojmë pa hezitim, pa rregulla, pa ndalesë dhe pa kufij”, tha lideri i Hezbollahut, Hassan Nasrallah disa ditë më parë