Një pjesë e futbollit më të mirë në botë po luhet në Kupën e Afrikës, që po mbahet në Bregun e Fildishtë. Por larg kontinentit afrikan, pak duket se po i kushtojnë vëmendje këtij turneu.
Ndeshjet e Kupës së Afrikës kryesisht nuk janë të qasshme falas për tifozët nga Evropa që duan t’i shohin, ndërsa lajmet rreth turneut ku po marrin pjesë 24 ekipet më të mira të kontinentit shpesh janë nën hije të lajmeve për garat vendase.
Me këtë edicion të Kupës së Afrikës që po luhet në të njëjtën kohë me pesë ligat e mëdha të Evropës – Angli, Spanjë, Itali, Francë dhe Gjermani – turneu është në rrezik të anashkalohet. Kjo, pavarësisht se përfaqësueset mburren me emra yjesh si Sadio Mane, Mohamed Salah, Victor Osimhen dhe Riyad Mahrez, së bashku me një spektakël të ofruar nga tifozët entuziastë që kërcejnë në tribuna. Ndeshjet deri më tani kanë qenë emocionuese, madje spektakolare. Asnjë nga 24 ndeshjet e grupeve të luajtura deri të hënën nuk kishte përfunduar në barazim pa gola.
Megjithatë, Kupa e Afrikës nuk i afrohet së njëjtës vëmendje që tërheq një Kupë Botërore apo Kampionati Evropian. Lojtarët dhe trajnerët në turne mendojnë se nuk është treguar respekti që meriton ta ketë Kupa e Afrikës nga Evropa.
“Ky është një turne fantastik, i organizuar në një vend të bukur, me infrastrukturë të duhur dhe me të gjithë lojtarët më të mirë”, tha trajneri i Gambisë, Tom Saintfiet. “Njerëzit shkojnë në stadium në Manchester ose në Liverpool për të parë këta lojtarë duke luajtur. Por pse nuk e shfaqim këtë drejtpërdrejt në të gjithë Evropën në televizor? Mendoj se këtu fillon respekti”.
Trajnerët dhe klubet në ligat më të mëdha të Evropës kanë qenë të njohur për të ushtruar presion mbi lojtarët afrikanë që të mos luajnë për përfaqësueset e tyre ose të anashkalojnë turneun
Trajneri i Bayern Munichut, Thomas Tuchel, i kërkoi Marokut që mos ta aktivizoj Noussair Mazraouin deri në ndeshjen e fundit të grupit për shkak të shqetësimit për lëndim. Portieri i Kamerunit, Andre Onana, iu bashkua ekipit me vonesë, sepse po luante për Manchester Unitedin një ditë përpara ndeshjes hapëse të Kamerunit kundër Guinesë. Ai përfundimisht humbi ndeshjen pavarësisht nxitimit.
Presidenti i Federatës së Kepit të Gjelbër, Mario Semedo, kritikoi klubin portugez Portimonense për presionin ndaj Helio Varelas për të humbur turneun, i cili duhej të ishte një moment kulmor për sulmuesin 21-vjeçar. Kepi i Gjelbër u bë përfaqësuesja e parë që siguroi vendin në fazën nokaut. “Trajnerët evropianë nuk kanë asnjë ide për futbollin afrikan” tha Saintfiet. “Ata ende mendojnë se ne luajmë në një fushë (të shpifur) në një stadium (të shpifur). Por Afrika është e zhvilluar dhe ky turne është fantastik. Evropa duhet të hapë sytë. Por edhe televizioni duhet të hapë sytë. Ky është turne i madh që meriton gjithë respektin, jo vetëm nga klubet apo trajnerët, por edhe nga mediat”.
Lojtarët në Kupën e Afrikës kanë folur vazhdimisht për pasionin e tyre për të luajtur për vendet e tyre në turne, për krenarinë që ndjejnë kur veshin fanellat e ekipeve të tyre nacionale. Portieri i Ganës, Richard Ofori thotë se nuk duhet të ketë rëndësi se çfarë mendojnë të tjerët për turneun, nëse afrikanët krenohen vetë me të.
“Ne të gjithë duhet ta mbështesim atë si afrikanë dhe pastaj të rrisim lojën tonë, të sigurohemi që turneu ynë të bëhet i suksesshëm dhe i bukur”, tha Ofori. “Kjo është gjëja më e rëndësishme. Çfarë mendon një vend evropian apo çfarëdo që ata tregojnë apo bëjnë apo çfarëdo qoftë, nuk është problemi ynë”.
Ylli i Senegalit, Sadio Mane, sugjeroi se fokusi i medias perëndimore ishte i anuar drejt ligave të mëdha në Evropë dhe se tifozët po humbnin duelet fantastike në Kupën e Afrikës si rezultat i kësaj.
“Për ju djem, nëse nuk luani në Evropë, nuk ka rëndësi”, porositi Mane bashkëlojtarët e tij te Senegali.
Kapiteni i Senegalit, Kalidou Koulibaly tha se të luash në Kupën e Afrikës është “diçka shumë e veçantë” dhe se lojtarët duhet të flasin më shumë për rëndësinë e këtij turneu.
“Nuk e kuptoj pse disa njerëz dhe disa lojtarë respektojnë më shumë klubet sesa vendin. Por ju e dini, Evropa nuk është njësoj”, tha Koulibaly
