Manchester United raportohet se janë të gatshëm të paguajnë klauzolën e lirimit prej 100 milionë eurosh për të nënshkruar me sulmuesin Viktor Gyokeres gjatë verës.
Gyokeres momentalisht luan në Portugali tek gjiganti Sporting Lisbona, pasi kompletoi një transferim prej 20 milionë eurosh nga kategoria e dytë e futbollit anglez verën e kaluar
25-vjeçari ka arritur një rekord të ri të golave në Portugali, pasi ka shënuar 16 gola në 20 ndeshje në elitën e futbollit portugez këtë sezon.
Ai ka kontribuar gjithashtu edhe me tetë asistime, ku tre prej tyre erdhën në ndeshjen që Sportingu e fitoi me rezultat të thellë 5-1 ndaj Estoril muajin e kaluar.
Është shumë e lehtë për ta kuptuar se shifrat e tij do t’i bënin mirë Unitedit, ani pse suedezi luan si sulmues i vetëm për Sportingun, por mund të përshtatet edhe me Rasmus Hojlund si partner në “Old Trafford”
Sipas mediumit spanjoll Fichajes, United janë të gatshëm të paguajnë klauzolën e sulmuesit, e cila qëndron në vlerë prej 100 milionë eurosh, sapo të hapet afati kalimtar veror.
Kjo shumë do të tejkalonte shifrën prej 64 milionë eurosh që “Djajtë e Kuq” paguan për të nënshkruar me Hojlund nga Atalanta vitin e kaluar.