Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka thënë se situata e sigurisë në Kosovë është e qetë dhe stabile, me përjashtim të veriut, ku sipas tij situata e sigurisë vazhdon të jetë e brishtë
“Për shkak të ndikimit të grupeve kriminale dhe po ashtu ndikimit të Qeverisë së Serbisë, që ka instrumentalizuar disa grupe, siç është rasti i grupit të Radoiçiqit por edhe grupe tjera”, ka theksuar Hoxha në një intervistë në emisionin “Tempus” në KTV.
Drejtori i Policisë ka thënë se viti 2023 ka qenë ndër vitet më sfiduese për Policinë e Kosovës dhe Kosovën në përgjithësi, duke pasur parasysh zhvillimet në veri të vendit.
“Zgjedhjet lokale që u zhvilluan në atë pjesë, të cilat u bojkotuan nga subjektet politike serbe, pastaj Qeveria e Serbisë vazhdimisht tentonte të sabotonte edhe punën, por edhe synonte të ndërtonte një lloj vakumi institucional, një lloj pasigurie në veriun e vendit dhe po ashtu të kërkoj prej institucioneve ndërkombëtare që në këtë rast është EULEX-i dhe KFOR-i që ata të kenë përsipër sigurinë e veriut të vendit pas dorëheqjes së policëve tanë të nacionalitetit serb”, ka deklaruar Hoxha
Ai ka theksuar se këtë vakum kanë arritur ta plotësojnë me sukses duke angazhuar njësitë policore nga të gjitha stacionet nga jugu dhe njësitë tjera, të cilat janë dërguar atje.
“Situata agravoi më shumë kur ne me kërkesë të Ministrisë së Qeverisë së Republikës së Kosovës, asistuam që kryetarët e komunave veriore të zgjedhur në mënyrë legjitime-legale të vendosen në objektet e komunave, pastaj ishte ai reagimi i dhunshëm dhe sulmi i tmerrshëm edhe ndaj ushtarëve të KFOR-it në Zveçan, ndaj Policisë së Kosovës, gazetarëve dhe institucioneve tjera që funksionojnë në atë pjesë, ku u lënduan një numër prej 93 ushtarësh të KFOR-it”, është shprehur Hoxha.
Ai ka theksuar se kishte edhe një varg sulmesh dhe arrestimesh, ndërsa ka përmendur edhe rastin e kidnapimit të policëve tanë në afërsi të kufirit me Serbinë. Hoxha në fund përmendi sulmin terrorist në Banjskë, ku u vra rreshteri Afrim Bunjaku