177-vjetori i lindjes së Naim Frashërit, Presidenti Begaj: Përjetësoi dashurinë për gjuhën shqipe

by informim

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj përkujtoi sot në 177-vjetorin e lindjes poetin e madh të Rilindjes Kombëtare, Naim Frashëri.

Në një postim në rrjetet sociale, Begaj tha se, “poeti Naim Frashëri ndriçoi një komb, frymëzoi një epokë dhe përjetësoi dashurinë për gjuhën shqipe. Le të nderojmë sot 177 vjetorin e lindjes së poetit më të madh të Rilindjes Kombëtare”.

banner

Naim Frashëri lindi në Frashër të Dangëllisë së Përmetit më 25 maj 1846. Mësimet e para i mori në vendlindje, ku nisi të mësonte persishten pranë teqesë bektashiane. Më 1865 familja e tij u shpërngul në Janinë, ku ndoqi gjimnazin “Zosimea”. Mbas kthimit në vendlindje, ai bëri provat e para të vjershërimit shqip nën ndikimin e bejtexhinjve, por edhe persisht, në përmbledhjen “Tehajylat” (Ëndërrime) që e botoi në vitit 1885.

Naim Frashëri mori pjesë në ngjarjet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në mbledhjen e degëve të Jugut të Lidhjes Shqiptare në Frashër (1878).

Ai iu kushtua punës për zgjimin kombëtar përmes lëvrimit të gjuhës shqipe e të letërsisë kombëtare dhe për ngritjen e shkollës shqipe e pajisjen e saj me tekste mësimore në gjuhën amtare. Më 1882 u vendos përfundimisht në Stamboll. Me përkushtimin dhe veprimtarinë e tij të dendur atdhetare e kulturore Naim Frashëri u bë figura qendrore e Rilindjes Kombëtare dhe u pagëzua për së gjalli si “Apostull i Shqiptarizmës”.

Për më pak se 20 vjet botoi një krijimtari të gjerë në gjuhën shqipe dhe në gjuhë të tjera, poema, përmbledhje lirikash, prozë artistike, si dhe vjersha e tekste për shkollat dhe përkthime. Veprat e tij më të shquara janë “Bagëti e Bujqësija” (1886), përmbledhja me lirika atdhetare e filozofike “Luletë e verësë” (1890), poema epike “Istori e Skënderbeut” (1898), lirikat në persisht “Ëndërrime” si dhe poemat në gjuhën greke “O alithis pothos ton Skyperaton” (Dëshira e vërtetë e shqiptarëve, 1886), etj..

Vepra e Naim Frashërit është botuar dhe vazhdon të botohet gjerësisht dhe është bërë objekt studimesh shkencore. Naim Frashëri vdiq në Stamboll më 20 tetor 1900. Eshtrat e tij u sollën në atdhe më 1937 dhe prehen në Memorialin e Rilindësve në Tiranë.

banner

Të ngjajshme

Leave a Comment

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy