Ambasada britanike: Kosova të bëjë gjithçka që është e mundur që ta sigurojë mbështetjen e Komitetit të Ministrave

by Nexhat

Në Strasburg sot zëvendësministrat e Jashtëm të vendeve anëtare janë duke bërë përgatitjet dhe hartimin e agjendës për mbledhjen e ministrave të Jashtëm këtë muaj. Ende nuk dihet saktë nëse Kosova do të futet në agjendë pavarësisht optimizmit që krijoi votimi me shumicë dërrmuese pro anëtarësimit të Kosovës në Asamblenë Parlamentare. Kërkesa e Francës dhe Gjermanisë që të bëhen hapa konkretë drejt themelimit të Asociacionit si kusht për anëtarësim zbehu këtë entuziazëm.

Mbretëria e Bashkuar nuk i kërkoi Kosovës drejtpërdrejt themelimin e Asociacionit që t’i japë mbështetje në mbledhjen e majit, por i rekomandon asaj që “të bëjë gjithçka” për ta siguruar mbështetjen e nevojshme.

banner

Ambasada britanike në Prishtinë në një përgjigje për Express ka thënë se Mbretëria e Bashkuar e mbështet anëtarësimin e Kosovës në KiE.

“Mbretëria e Bashkuar mbështet anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës dhe e inkurajon Kosovën të bëjë gjithçka që mundet për të siguruar mbështetjen e nevojshme për një votim të suksesshëm në Komitetin e Ministrave”, thuhet në përgjigje

Për këtë takim të sotëm, dje në zyrën e kryeministrit Albin Kurti shkuan ambasadorët e vendeve të Quint’it.

Kurti atyre u përmendi raportin e grekes Dora Bakoyannis, për të cilin tha se u konfirmua nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës dhe se  “kanë konfirmuar se Republika e Kosovës plotëson standardet dhe kriteret për të qenë anëtare e plotë e kësaj organizate”.

Po ashtu, kryeministri Kurti tha se me vendimin për regjistrimin e tokës Manastirit të Deçanit dhe letrën e dërguar nga tre krerët e vendit – ku zotohen për themelim të Asociacionit – “Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret për anëtarësim, prandaj edhe çdo kërkesë tjetër është në shpërputhje me vetë votimin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës të 16 prillit, të mbështetur në masën 82% (131 kundrejt 29)”.

Si përgjigje për kërkesën e Francës e Gjermanisë, Kurti u ka thënë se normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë zhvillohet në Bruksel dhe jo në Strasburg.

“Procesi i anëtarësimit në Këshill të Evropës është çështje e respektimi të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit, vlera këto që Republika e Kosovës i përqafon. Këto dy procese nuk duhet të përzihen pasi nuk e ndihmojnë njëra-tjetrën. Në rast se këto përzihen, kjo do t’i bënte dëm të pariparueshëm në njërën anë dialogut në Bruksel dhe në anën tjetër Këshillit të Evropës si institucion i ruajtjes dhe promovimit të demokracisë dhe të drejtave të njeriut”.

Përkundër kërkesës që Kosova të bëjë hapat konkretë për Asociacionin, kryeministri Kurti përsëriti qëndrimin e tij se “neni 7 i Marrëveshjes Bazike nuk mund të nxirret nga pakoja e Marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit në Ohër dhe nuk duhet të vendoset si prioritet dhe në qendër”.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy