Osmani thotë se Serbia po e ndihmon Rusinë të hapë një front të ri kundër Perëndimit

by Nexhat

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka akuzuar Serbinë se po e ndihmon Rusinë, në mënyrë që, sipas saj, të shpërqendrohet vëmendja nga lufta që Moska nisi më 2022 kundër Ukrainës, dhe të hapë “një front të ri kundër Perëndimit”.

Gjatë pjesëmarrjes në Samitin për Demokraci të Kopenhagës, Osmani tha se demokracia në botë është në sprovë, pasi sipas saj, autokratët po sulmojnë vazhdimisht vlerat demokratike.

Ajo tha se Kosova e sheh të ardhmen e saj në familjen euroatlantike dhe nuk do të ndalet së punuari në rrugën drejt integrimit euroatlantik.

Por, sipas Osmanit, Serbia fqinje po përpiqet të ndihmojë presidentin rus, Vladimir Putin, që të shtyjë përpara agjendat e tij në Ballkanin Perëndimor.

“Siç e dini, Kosova kufizohet me Serbinë, vend që jo vetëm së voni, por sidomos së voni është dëshmuar të jetë dorë e zgjatur, shumë besnike e Rusisë, që përpiqet të luajë me ato lojërat e [presidentit rus, Vladimir]Putinit në Ballkan Perëndimor duke hapur një front të ri ndaj Perëndimit”, tha Osmani.

“Sepse ky efekti shpërndarës me të cilin Rusia do të arrinte shpërqendrimin e vëmendjes nga Ukraina, kjo do të ishte shumë e nevojshme për ta. Pra, puna që mbajmë bashkë me aleatët tanë, sepse siç e dini kemi një prani të NATO-s në Kosovë, për të siguruar që Kosova të mbetet e sigurt e stabile, është një gjë që bëjmë çdo ditë, çdo orë”, shtoi presidentja e Kosovës.

Serbia ka raporte miqësore me Rusinë dhe është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që u ka rezistuar thirrjeve të bashkësisë ndërkombëtare që të vendosë sanksione kundër Moskës për shkak të luftës së paprovokuar ndaj Ukrainës. /REL

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy