Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla tha se janë “gabime të pafalshme” çështjet si ajo e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, por tha se Qeveria duhet të gjejë zgjidhje.
Kryediplomatja i tha se “Qeveria e Kosovës është duke e përgatitur një draft Statut për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe” presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Theodoros Rousopoulos, në një letër që ia dërgoi adje.
“Ne duhet të gjejmë zgjidhje, një nga një, me maturi por edhe me pak guxim, edhe për temat të cilat i kemi trashëguar, të cilat unë i konsideroj gabime të pafalshme, por një qeveri serioze zgjidh probleme në vend që të ankohet për gabimet e së kaluarës. Prandaj angazhimi ynë është shumë i sinqertë dhe shumë serioz, por ne presim që partnerët tanë ndërkombëtarë ta vlerësojnë këtë”, tha Gërvalla në një konferencë për media.
Ajo tha se “nuk është i lehtë për Qeverinë e Kosovës ky hap”, të cilin e quajti “të rëndësishëm dhe të prekshëm në përmbushjen e zotimeve”,
“Ne kemi shprehur vullnetin tonë dhe presim se cili do të jetë reagimi dhe shpresa jonë është e madhe që ky zotim i yni të merret seriozisht dhe ky zotim i yni të çojë në përmbushjen e asaj që besoj që çdo qytetar i Republikës së Kosovës, të gjithë e dëshirojnë – pra, anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës”, tha Gërvalla.
Ajo theksoi se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Europës këtë muaj “nuk varet më nga ne”. Tha se tash kërkojnë dhe presin që “Këshilli i Evropës të përmbushë pjesën e vet të detyrimit dhe ta ftojë Kosovën për t’iu bashkuar pa vonesë Këshillit të Evropës si vendi të cilit jo vetëm që i janë vendosur më së shumti kushte për anëtarësim në këtë organizatë, por i cili i ka përmbushur këto kushte”.
Zëvendësministri Kreshnik Ahmeti, tha se bëhet fjalë “për të drejtën e asocimit të komunave” dhe se “nuk po flasim për një kompromis”.