Asambleisti i Lidhjes Demokratike të Kosovës në Ferizaj, Flamur Istrefi ka pyetur se pse kryetari i kësaj komune nuk po i liron nga detyra “njerëzit e afërt” të cilët thotë se “po përballen me drejtësinë”.
Istrefi pyeti nëse Agim Aliu është “hallka kryesore” e keqpërdorimeve që thotë se po bëhen në këtë komunë.
“Njerëzit e afërt të Agim Aliut po përballen me drejtësinë, e këtij s’po i dëgjohet zëri. Zëvendësi i tij akuzohet për keqpërdorim detyre, kryesuesi i Kuvendit për kanosje e Kryeshefja e Prokurimit për çështje tenderash. Pyetja që duhet të shtrohet sot është: Pse nuk po i liron nga detyra këta njerëz kryetari nëse pretendon se do qeverisje të pastër?”, shkroi Istrefi në një postim në Facebook.
“A mos është arsyeja e gjithë kësaj se keqpërdorimet në komunën e Ferizajt janë zinxhirore dhe hallka kryesore është vetë i pari i komunës? A po frikësohet Agim Aliu që pas shkarkimit të tyre, zhytet në telashe pasi që të dalë sheshazi e vërteta? Apo mbase fati i njëjtë po e pret edhe kryetarin, për të cilin veçse është raportuar se po hetohet?”, shtoi ai.
Asambleisti i LDK-së i kërkoi Aliut të veprojë.
“Hajde kryetar, shkarkoji njerëzit që po të akuzohen! Dil e fol për akuzat që po ju bëhen si qeverisje! Ose lëje mandatin se edhe ashtu veç telashe je duke sjellë!”, shkroi Istrefi