Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, ka reaguar pas zhvillimeve të sotme në tri komunat veriore të Kosovës.
Ai ka thënë se nuk ka mundësi që kryetarët e asnjë komune të kenë besimin e 100 për qind të qytetarëve, prandaj bëri thirrje që t’u jepet mundësia edhe atyre treve që ta dëshmojnë veten.
“Kryetarët e komunave të Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Zveçanit, që u betuan dje, e kanë obligim ligjor të fillojnë punën menjëherë. Institucionet publike e kanë obligim të sigurojnë kushtet që të njëjtët të ushtrojnë detyrat dhe përgjegjësitë e tyre. Si kryetarë të komunave, ata mund të ushtrojnë përgjegjësitë e tyre vetëm nga ndërtesat e komunës. Të ardhur me votë, mund edhe të rrëzohen me votë. Të përzgjedhurit e qytetarëve si rregull rrallëherë gëzojnë mbështetjen e secilit qytetar. Por kjo nuk nënkupton që qytetarët e pakënaqur mund të bllokojnë shkuarjen e të përzgjedhurve në vendet e tyre të punës”, thotë Bislimi.
Ai thekson se një praktikë e tillë do të çonte shumë lehtë në situata absurde ku asnjë kryetar, në asnjë komunë nuk do të mund të ushtronte detyrat e marra.
“Kryetarët e porsaemëruar i uroj për përgjegjësitë e reja dhe ua rikujtoj që janë aty për të promovuar interesat e secilit qytetar pa dallim të bindjeve politike, përkatësisë etnike, statusit social, moshës apo gjinisë. Qytetarët i ftoj që t’u japin kohë të sapozgjedhurve të tregojnë se në ç’masë i qëndrojnë mbrapa premtimeve të bëra dhe principeve të një qeverisjeje të drejtë, efikase, transparente, e në shërbim të qytetarit”.
“Mekanizmat e sigurisë i ftoj që të bëjnë maksimumin për të garantuar sigurinë e qytetarëve dhe një ambient të qetë për të gjithë”, përfundoi Bislimi.