Me fitoren e arritur sot ndaj Atletico Madrid falë një goli në pjesën e parë nga Ferran Torres, i cili i dha fund serisë së Atletico Madridit prej 13 ndeshjesh pa humbje, Barcelona e ruan epërsinë e saj prej 11 pikësh në krye të tabelës.
Edhe pse Atletico nuk kishte humbur për 13 ndeshje dhe ishte në formë të shkëlqyer, Barcelona bëri një lojë dominuese dhe tregoi se është shumë e përkushtuar për të fituar titullin e ligës.
Barcelona tanimë ka grumbulluar 76 pikë dhe qendron bindshëm në vendin e parë e ndjekur nga Real Madrid me 65 pikë në vendin e dytë kur kanë mbetur edhe tetë javë para përfundimit të kampionatit.
Pavarësisht humbjes, Atletico Madrid ka ende një pozitë të sigurt në vendin e tretë me 6 pikë para Real Sociedad që i siguron pjesëmarrje në ligen e kampionëve.