Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani sot ka vizituar komunën e Tetovës, ku është pritur në takim nga kryetari i kësaj komune Bilall Kasami, i cili e ka nderuar atë me Çelësin e Qytetit, çmim ky që u dha për herë të parë nga komuna e Tetovës.
“E nderuar që vizitën në Tetovë ta filloj me Çelësin e Qytetit nga kryetari i Komunës, Bilall Kasami, një simbol i përkushtimit tonë të çdoditshëm për të qëndruar pranë bashkëkombasve tanë”, u shpreh Osmani.
Bëhet e ditur se Osmani ka vlerësuar rolin historik të Tetovës për shqiptarët gjithandej dhe ka falënderuar tetovarët që gjatë luftës në Kosovës, më 1998-1999 kanë hapur zemrat dhe dyert e tyre për t`i strehuar refugjatët kosovarë të dëbuar me dhunë nga regjimi gjenocidal i Serbisë.
“Tetova dhe qytetarët e saj janë gjithnjë në zemrat e qytetarëve të Kosovës, prandaj sot, së bashku me kryetarin Kasami, rikonfirmuam angazhimin tonë për kultivimin e mëtejshëm të raporteve tona të veçanta”, ka theksuar ajo.