Albin Kurti ka thënë se marshimi i Forcave të Armatosura të Kosovës në Mitrovicën e jugut sot, ishte vetëm stërvitje rutinore, e planifikuar në bazë vjetore, për të cilën është informuar edhe KFOR-i.
Interpretimet se kjo ecje e FSK-së në Mitrovicë ishte një lëvizje drejt tensionimit të situatës, Kurti i ka quajtur dezinformata. Ai ka thënë se këto interpretime janë të rrezikshme dhe të papranueshme.
“Stërvitjet e sotshme të Regjimentit të Tretë të FSK-së në Mitrovicën e Jugut janë një rutinë e planifikuar në bazë vjetore, për të cilën është i informuar plotësisht KFOR-i. Është përbërë prej 215 ushtarëve që kanë ecur nga Kazerma “Minatori” në Frashër dhe prapa. Dezinformatat janë të rrezikshme dhe të papranueshme”, ka shkruar kryeministri.
Po ashtu, Kurti ka folur edhe për serbin e arrestuar sot në Mitrovicën veriore, i njohur me nofkën “Rusi”, nën dyshimet për sulme ndaj forcave të KFOR-it.Ai e ka arsyetuar arrestimin dhe ka thënë se nuk është i përfshirë në këtë arrestim.“Si kryeminsitër i një shteti demokratik, kam zero përfshirje në hetimet e krimeve dhe arrestimeve”, ka shkruar Kurti tutje. Duke iu referuar situatës, Kurti ka bërë thirrje që të verifikohen lajmet para reagimeve.
“Shpërndarja e panikut dhe e pretendimeve të rreme vetëm sa ndez tensionet dhe ndihmon të tjerët që e kërkojnë eskalimin. Një thirrje për të gjithë: Ju lutem konfirmoni burimet tuaja dhe prisni për informacione zyrtare nga institucionet e Kosovës përpara se të përfshiheni publikisht në shpërndarjen e lajmeve apo parashikimit të ngjareve”, ka shkruar Kurti.
Para reagimit të Kurtit, një ‘reagim’ i furishëm erdhi nga përfaqësuesi i politikave të jashtme të BE-së, Josep Borrell, i cili kritikoi Kosovën për marshimin e FSK-së në Mitrovicë të jugut.
Ai këtë gjë e konsideroi një provokim nga ana e Kosovës.Borrell, përmes një fjalori dramatizues, tha se është shumë i alarmuar për atë që po ndodh në Kosovë, duke i konsideruar arrestimet e fundit të parregullta dhe në shpërfillje të procedurave gjyqësore.“
“Shumë i alarmuar për situatën në veri të Kosovës: me arrestimet jashtëgjyqësore të serbëve & dhe marshimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Mitrovicën jugore; përcjellë nga një retorikë e ashpër nga Serbia”, ka shkruar Borrell.