Vazhdojnë masat e BE-së ndaj Kosovës: Presidentja shpreson se Borell do të bëjë “propozim për heqjen e masave”

by engel

Kosova ka hyrë në vitin e ri 2024 nën masa të Bashkimit Evropian. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se për këtë çështje ka folur gjatë dhjetorit me Përfaqësuesin e Lartë, Josep Borell, i cili sipas saj, ka pranuar që të hartojë një propozim që qon në heqjen e masave ndaj Kosovës.

Gazet Express ka kërkuar një përgjigje në Bruksel, por ata kanë thënë se në këtë fazë s’kanë asgjë për të thënë duke referuar tek konkluzat e Këshillit të BE-së. Aty thuhet se masat mund t’i hiqen Kosovës në momentin që do t’i plotësojë kërkesat e 3 qershorit të Përfaqësuesit të Lartë, Josep Borell.

Për shkak të veprimeve të Qeverisë Kurti sa i përket Veriut dhe refuzimit të ndërmarrjes së veprimeve për de-eskalim, Bashkimi Evropian më 28 qershor ka marrë disa masa kundër Kosovës, të cilat vazhdojnë të mbesin në fuqi.

Krerët e institucioneve të Kosovës në vazhdimësi i kanë cilësuar si të padrejta dhe joproporcionale dhe kanë kërkuar që të hiqen. Për heqjen masave BE ka kërkuar nga Kosova plotësimin e disa kushteve, që lidhen me de-eskalimin e ku përfshihen reduktimi i njësive speciale në Veri, largimi i kryetarëve të 4 komunave atje dhe mbajtja e zgjedhjeve të reja.

Në konkluzionet e Këshillit të BE-së të miratuara në dhjetor është konstatuar se masat ndëshkuese ndaj Kosovës mund të hiqen në momentin që do të plotësohen kushtet e përmendura nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borell, të publikuara më 3 qershor.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë të dhënë për RTV 21 ka përmendur një zhvillim të ri, ku siç është shprehur ajo, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së i ka premtuar se do të hartojë një udhërrëfyes për atë se si mund t’i hiqen masat Kosovës. Shefja e shtetit ka thënë se do të mundohen të bëjnë presion pozitiv që një propozim i tillë të ndodh sa më shpejt.

Por a do ta bëjë Përfaqësuesi i Lartë, Josep Borell, një propozim të tillë ku Kosovës do t’i tregohet rruga se si hiqen masat. Në një përgjigje për Gazetën Express nga Bashkimi Evropian kanë thënë se s’kanë asgjë për të shtuar në këtë fazë, duke përmendur qëndrimin e fundit të tyre që referon tek konkluzionet e Këshillit.

“Nuk kemi asgjë për të shtuar për këtë çështje në këtë fazë në përgjigjen që ju dhamë muajin e kaluar”, ka thënë Zoi Muletier për Gazetën Express.

Republika e Kosovës nga 28 qershori zyrtarisht është nën masa të Bashkimit Evropian. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se aleatët kanë përgatitur edhe masa shumë më të ashpra ndaj Kosovës dhe individëve, por që sipas saj, falë punës si presidente diçka e tillë është parandaluar./GazetaExpress/

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy