Një studim e mbështet këtë: Gjiri i Bengalit dhe Filipinet janë veçanërisht në rrezik. Temperaturat e larta mund të ndikojnë gjithashtu në Detin e Karaibeve, Detin e Kinës Jugore, Amazonën dhe Alaskën
El Niño, fenomeni ciklik i klimës që u raportua gjate majit dhe qershorit të vitit të kaluar, mund të shkaktojë temperatura mesatare globale rekord gjatë muajve të ardhshëm deri në qershor.
Kjo u zbulua nga një studim i publikuar në Scientific Reports dhe i kryer nga një ekip shkencëtarësh të udhëhequr nga Congwen Zhu i Akademisë Kineze të Shkencave Meteorologjike në Pekin, në bashkëpunim me shumë shkencëtarë të tjerë nga institucione dhe universitete meteorologjike kineze, amerikane dhe suedeze.
Sipas rezultateve, zonat më të prekura do të jenë Gjiri i Bengalit dhe Filipinet, me një shtrirje të mundshme në Detin e Karaibeve, Detin e Kinës Jugore, Amazonën dhe Alaskën.
Modeli i zhvilluar nga studiuesit vlerëson një probabilitet prej 90% për shfaqjen e temperaturave mesatare globale të sipërfaqes rekord, nëse fenomeni manifestohet me karakteristika të moderuara ose të forta.
El Niño është një fenomen klimatik ciklik që ndodh mesatarisht çdo 2-7 vjet dhe zakonisht zgjat nga nëntë deri në 12 muaj, megjithëse mund të ndodhë që të vazhdojë me vite, shpjegojnë ekspertët e agjencisë amerikane Noaa (Administrata Kombëtare e Oqeanit dhe Atmosferës).
El Niño shkakton një ngrohje të ujërave sipërfaqësore të disa zonave të Oqeanit Paqësor, duke ndikuar potencialisht në kushtet meteorologjike të të gjithë planetit./Informim/