Lojtarët e Kombëtares po shkojnë drejt fundit të sezonit me skuadrat e tyre në Europë.
Ata synojnë që të luajnë sa më shumë minuta dhe të jenë në top-formën sportive në momentin që trajneri i Kombëtares, Silvinjo, të hartojë listën me 26 lojtarë, që do të marrin pjesë në finalet e Kampionatit Europian Gjermani 2024.
Por me afrimin e datës së grumbullimit, kur mbeten dhe pak javë, duket se tensioni është shumë i madh.
Minutazhi ka shumë rëndësi dhe Armando Broja në këtë moment është nën presion pasi nuk e ka këtë minutazh. Edhe pse ai e fitoi “bastin” në miqësoren me Suedinë në fund të marsit, duket se mungesa e minutave (dhe rrjedhimisht e golave) me Fulhamin në Premier League po e penalizon për objektivat në Kombëtare.
Nga ana tjetër, në Itali dhe në Turqi lojtarët e Kombëtares po luajnë minuta të rëndësishme dhe kanë më shumë shanse. Asllani, Gjimshiti, Hysaj, Kumbulla e ndonjë tjetër po luajnë dhe kanë shanse më shumë për të qenë në listë.
Po ashtu në Turqi, lojtarë si Muçi, Manaj e ndonjë tjetër kanë gjithashtu shanse për të qenë në listën e Silvinjos.
Broja s’luan asnjë minutë për Fulhamin
Në Premier League lojtari shqiptar që merr më shumë vëmendje është Armando Broja, por sulmuesi kuqezi s’po luan në fushën e lojës, gjë që është problematike.
Asnjë minutë për Armando Brojën në fundjavën që lamë pas. Marko Silva vazhdon ta “torturojë” sulmuesin e talentuar shqiptar, të cilit nuk i dhuroi asnjë minutë në ndeshjen Brentford-Fulham. Që u mbyll në barazim pa gola.
Broja e ndoqi gjithë takimin nga pankina. Dy duelet e tjera u mbyllën me fitoren e skuadrave udhëtuese. Notingham Forest siguroi tri pikë jetike për mbijetesën në fushën e Shefield Junajtid. Aty ku triumfoi 1-3.
Ndërkohë, Njukasëll i dha një goditje të rëndë shpresave të Bërnlit për të qëndruar në Premier League. Bardhezinjtë triumfuan 1-4 përballë skuadrës së Aro Muriqi.
Pavarësisht se pësoi 4 gola, portieri titullar i Kosovës ishte ndër më të mirët në fushë. Me pritjet e tij ndikoi që humbja e Bërnlit të mos ishte më e rëndë, ndërkohë që i priti një penallti edhe suedezit Isak.
Muçi e Rashica protagonistë në fitoren e Beshiktashit
Në kampionatin turk luan një kontigjent i rëndësishëm lojtarësh shqiptarë, të shpërndarë në kategorinë elitare (superligë) por edhe në kategorinë e dytë. Ndërkohë, në Turqi, nga ky kontigjent, ka nga Shqipëria, por edhe Kosova.
Ndërkohë, në fundjavën që lamë pas spikatën dy lojtarë shqiptarë të Beshiktashit. Kështu, Milot Rashica feston në Superligën turke. Sulmuesi dardan, pjesë e Beshiktashit prej verës së kaluar, tundi rrjetën kundërshtare në përballjen shtëpiake kundër Rizesporit.
Ishte minuta e 65-të kur 27-vjeçari nga Vushtrria realizoi një gol të veçantë pas krosimit të Ghezzal. Pasi rrallë ndodh ta shohim duke shënuar me kokë. Si titullar për Beshiktashin e ka nisur edhe Ernest Muçi, sulmuesi tjetër shqiptar i bardhezinjve nga Stambolli. Ndeshja përfundoi me fitoren 3-2 të Beshiktashit.