Disa anëtarë të personelit amerikan janë plagosur si pasojë e një sulmi kundër një baze ushtarake në Irak, kanë thënë tre zyrtarë amerikanë për agjencinë e lajmeve Reuters, teksa rriten shqetësimet pas vrasjeve të zyrtarëve të lartë të grupeve Hamas dhe Hezbollah – të shpallura terroriste prej fuqive të mëdha.
Duke folur në kushte anonimiteti, këta zyrtarë kanë thënë se sulmi me raketë ka goditur bazën ajrore Al Asad në Irak. Ata kanë thënë se janë duke cituar informacion fillestar dhe që situata mund të ndërrojë. Nuk është bërë e qartë nëse sulmi është i lidhur me kërcënimet e Iranit për t’u hakmarrë për vrasjet.
“Personeli i bazës është duke kryer vlerësimin për dëmet pas sulmit”, ka thënë njëri prej zyrtarëve.
Shtetet e Bashkuara kanë kryer javën e kaluar një sulm në Irak kundër individëve që zyrtarët amerikanë kanë thënë se kanë qenë militantë, të cilët janë përgatitur për të lëshuar dronë, dhe janë parë si kërcënim për forcat e SHBA-së.
SHBA-ja është në pritje të një përgjigjeje prej Iranit, i cili është zotuar se do të përgjigjet pas vrasjes së liderit të Hamasit, Ismail Haniyeh, ditë më parë në Teheran.
Petangoni ka thënë se do të pozicionojë aeroplanë luftarakë shtesë në Lindje të Mesme, në tentim e sipër për të rritur mbrojtjen, marrë parasysh kërcënimet e Iranit, Hamasit dhe Hezbollahut./Euronews Albania