Tensionet në Ballkan krijojnë mundësi të reja për Turqinë

by Merita

Rusia e ka konsideruar prej kohësh Ballkanin pjesë të sferës së saj të influencës. Por siç njofton nga Stambolli korrespondenti i Zërit të Amerikës, Dorian Jones, fokusi aktual i Rusisë tek lufta në Ukrainë, po krijon një vakum në rajon dhe i jep një mundësi Turqisë për të zgjeruar rolin e saj.

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka rritur përpjekjet për të zgjeruar ndikimin e Turqisë në Ballkan, duke pritur Kryeministrin e Malit të Zi Milojko Spajiç në dhjetor, pasi bëri vizita në Shqipëri dhe në Serbi në tetor.

banner

“Ballkani është një histori suksesi për Ankaranë dhe arsyeja numër një për këtë është sepse Turqia ja ka dalë me sukses të veprojë si një ndërmjetëse, e aftë për të mbajtur lidhje paralele me të gjitha qeveritë dhe të gjitha grupet etnike”, thotë analisti Vuk Vuksanovic, nga Qendra e Beogradit për Politikat e Sigurisë.

Turqia me popullsi me shumicë myslimane ka patur prej kohësh lidhje të forta me Shqipërinë.

Por Presidenti Erdogan gjithashtu ka kultivuar kohët e fundit një marrëdhënie të fortë me Serbinë, një marrëdhënie që është ndërtuar mbi thellimin e marrëdhënieve ekonomike dhe një marrëdhënie personale me Presidentin serb Aleksandar Vuçiç.

Rusia e ka konsideruar historikisht Serbinë pjesë të sferës së saj të influencës, por është shpërqendruar nga lufta e saj në Ukrainë, diçka që po funksionon në avantazhin e Turqisë.

“Padyshim, Rusia gjithmonë e ka përdorur Serbinë për interesat e saj strategjike. Problemi është se Putini për momentin nuk është aq i fortë, pavarësisht se në Serbi ka parti politike dhe intelektualë që favorizojnë drejtpërdrejt politikën ruse”, thotë profesori Huseyin Bagci, nga Universiteti Teknik i Lindjes së Mesme, në Ankara.

Rusia dhe NATO-ja kanë mbështetur në të kaluarën palët rivale në konfliktet ballkanike, më së fundmi për Kosovën, ku tensionet vazhdojnë dhe ku gjendet një forcë paqeruajtëse e udhëhequr nga NATO-ja.

Rreziku i vazhdueshëm i destabilitetit e bën të rëndësishme përfshirjen në rritje të Ankarasë.

“Turqia ka një prani ushtarake në Ballkan. Ajo është e pranishme në terren për shkak të pjesëmarrjes në përpjekjet paqeruajtëse të NATO-s dhe BE-së në Ballkan. Dhe në të njëjtën kohë, nëse ka ndonjë mundësi për ndonjë lloj tensioni, Turqia mund të përpiqet të fitojë disa pikë diplomatike dhe politike, duke u përpjekur të jetë diçka e përbashkët mes palëve të përfshira”, thotë analisti Vuksanovic.

Stabiliteti në Ballkan është gjithashtu jetik për Turqinë, sepse rajoni është një rrugë jetike tregtare ndërmjet Turqisë dhe partnerit të saj më të rëndësishëm tregtar, Bashkimit Evropian.

Vizitat e fundit të Presidentit Erdogan në Ballkan janë zhvilluar në një sfond zhgënjimi në rritje ndër këto vende, lidhur me përpjekjet e tyre të ngecura për t’u anëtarësuar në BE.

“Ankaraja kërkon të pozicionohet si një partner i domosdoshëm për rajonin dhe shpesh shihet nga evropianët si një periferi. Dhe [këto vizita] japin gjithashtu një mesazh në shkallë më të gjerë. Mendoj se [ato synojnë] të shërbejnë si kundërpeshë ndaj pavendosmërisë së Bashkimit Evropian dhe janë një përpjepje për t’ia kaluar Rusisë dhe Kinës”, thotë profesori Zoran Ivanov, nga Universiteti i Ekonomisë dhe Teknologjisë, TOBB, në Ankara.

Rajoni i Ballkanit, me rivalitetet e vazhdueshme dhe konfliktet e ngrira, po bëhet skena e një beteje të re për ndikim, ndërmjet fuqive historike dhe atyre që po shfaqen.  Zëri i Amerikës 

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy