Në temperatura të ftohta, shumë pjesë të Kosovës po përballen me reduktime të energjisë elektrike. Qyteti i Ferizajt, Lipjanit, Gjakovës, Malishevës, Gjilanit, Shtimes, Istogut dhe Prizrenit, janë zonat më të afektuara nga ndërprerja e energjisë elektrike.
Ndalja e energjisë elektrike po thuhet të jetë për arsye të mbingarkesës për shkak të konsumit të lartë të energjisë elektrike nga ana e konsumatorëve në këto kohë, pas motit me temperatura të ulëta.
Vetë kryeministri Kurti gjatë ditës së djeshme është përballur me indinjatën e një qytetari rreth kësaj çështje. Ky mërgimtar i cili ka ardhur në Kosovë për festat e fundvitit, iu ankua kryeministrit Albin Kurti për mungesën e energjisë elektrike.
“Jem në gjendje të mjerueshme, jem në gjendje lufte”, tha ai, ndërsa nga Kurti mori përgjigje se “s’mund të bëjmë zgjidhje menjëherë”.
“I kemi dhënë prioritet kësaj pune. Prej 2007 ka qenë në plan por nuk është realizuar deri tash. Tash i kemi dhënë prioritet. Por nuk mund ta bëjmë përnjëherë, për shkak se është rritur ngarkesa”, tha Kurti të mërkurën.