Ramush Haradinaj prezanton pesë prioritetet strategjike për transformimin e sektorit elektroenergjetik të Kosovës

by Merita

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ka prezantuar pesë prioritetet strategjike për zhvillimin e sistemit elektroenergjetik të Kosovës.

Ai thotë Kosova ndodhet përpara një periudhe kritike për transformimin e sektorit të energjisë, ku siguria energjetike, diversifikimi i burimeve dhe përmbushja e objektivave të dekarbonizimit janë domosdoshmëri, shkruan Reporteri.net.

banner

Haradinaj thotë se kombinimi i burimeve tradicionale, atyre të ripërtëritshme dhe teknologjitë e reja si hidrogjeni i pastër, janë çelësi për të siguruar një të ardhme energjetike të qëndrueshme, të pastër dhe të sigurt për Kosovën.

Postimi i tij:

PRIORITETET STRATEGJIKE PËR ZHVILLIMIN E SISTEMIT ELEKTROENERGJETIK TË KOSOVËS

Kosova ndodhet përpara një periudhe kritike për transformimin e sektorit të energjisë, ku siguria energjetike, diversifikimi i burimeve dhe përmbushja e objektivave të dekarbonizimit janë domosdoshmëri. Për të adresuar sfidat aktuale dhe për të siguruar një sistem të qëndrueshëm, janë të nevojshme një sërë investimesh strategjike:

  1. Ndërtimi i një centrali energjetik me gaz prej 500 MW në Ferizaj
  • Ky central do të sigurojë furnizim të qëndrueshëm dhe fleksibilitet operacional, duke shërbyer si burim balancues gjatë periudhave të ulëta të prodhimit nga burimet e ripërtëritshme (energji diellore dhe e erës), krahas sistemit të ruajtjes së energjisë përmes baterive (BESS), të financuara nga Qeveria e SHBA, përmes programit të MCC dhe buxhetit të Kosovës.
  • Lidhja direkte me rrjetin 400 kV të KOSTT-it do të mundësojë integrim efikas në sistemin transmetues.
  • Kostoja e përafërt: 0.8-1.5 miliardë euro, duke përfshirë edhe teknologjinë e kapjes dhe ruajtjes së karbonit, dhe në varësi të kapacitetit dhe teknologjisë së zgjedhur.
  1. Modernizimi i rrjetit transmetues për operim të sigurt dhe integrimin e burimeve të ripërtëritshme
  • Ndërtimi i unazës së brendshme 400 kV: Siguron stabilitet të sistemit dhe rrit kapacitetet transmetuese për projekte të mëdha energjetike.
  • Kostoja e përafërt: 100-150 milionë euro.
  • Unazat 220 kV dhe 110 kV: Forcojnë kapacitetet lokale për integrimin e burimeve të shpërndara të energjisë dhe përmirësojnë fleksibilitetin operacional të rrjetit.
  • Kostoja e përafërt:
  • Unazat 220 kV: 50-70 milionë euro.
  • Unazat 110 kV: 20-40 milionë euro.
  • Rishikimi i Metodologjisë së Kyçjes: Një qasje më fleksibile nga KOSTT dhe ZRRE për të përshpejtuar integrimin e projekteve të energjisë së ripërtëritshme në rrjetin nacional.
  1. Mundësia e zhvillimit të kapaciteteve për prodhimin e hidrogjenit të pastër
  • Hidrogjeni i prodhuar nga energjia e erës dhe diellit mund të shërbejë si zgjidhje për menaxhimin e furnizimeve të tepërta, duke e ruajtur energjinë nëpërmjet elektrolizuesve dhe duke e përdorur atë për balancim të rrjedhave energjetike.
  • Hidrogjeni mund të ruhet dhe të përdoret si lëndë djegëse ose si bartës energjie, duke siguruar fleksibilitet të sistemit dhe reduktim të emetimeve të karbonit.
  • Kostoja e përafërt:
  • Kapacitetet e elektrolizës: 1-1.5 milionë euro për MW.
  • Infrastrukturat e ruajtjes dhe transportit të hidrogjenit: 50-100 milionë euro.
  • Strategjia përfshin ndërtimin e kapaciteteve për prodhimin e hidrogjenit pranë termocentraleve ekzistuese, për optimizim të kostos.
  1. Ndikimi i këtyre projekteve në balancimin e sistemit dhe dekarbonizimin
  • Centrali me gaz: Përveç furnizimit të sigurt, ky central do të mundësojë mbështetje në periudha të paqëndrueshmërisë nga burimet e ripërtëritshme, duke rritur fleksibilitetin dhe sigurinë e sistemit.
  • Hidrogjeni i pastër: Roli i tij në integrimin e burimeve të ripërtëritshme është thelbësor përmes ruajtjes së energjisë, duke shmangur humbjet dhe duke balancuar rrjetin.
  1. Pjesëmarrja aktive në integrimet në tregjet e energjisë rajonale dhe evropiane, për të siguruar mundësi më të mira për tregtinë e energjisë, duke rritur kështu konkurencën dhe ulur çmimet.
  2. Përfitimet:
  • Stabilitet dhe siguri më e lartë operative.
  • Integrim më i lehtë dhe më i shpejtë i projekteve të energjisë së ripërtëritshme.
  • Reduktim i varësisë nga burimet konvencionale dhe përmbushje e objektivave të tranzicionit energjetik.

Kjo qasje, që kombinon burimet tradicionale, ato të ripërtëritshme dhe teknologjitë e reja si hidrogjeni i pastër, është çelësi për të siguruar një të ardhme energjetike të qëndrueshme, të pastër dhe të sigurt për Kosovën.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy