I akuzuari Rexhep Mehmeti është shpallur fajtor dhe dënuar me 3 vite burgim për akuzën se në cilësinë e zyrtarit komunal ka falsifikuar dokumentet zyrtare.
Mehmeti në cilësinë e ofiqarit të Gjendjes Civile në Komunën e Prishtinës, ngarkohej kishte regjistruar dhe pajisur me dokumente identifikimi personat që nuk kanë plotësuar kriteret për t’u pajisur me to, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Aktgjykimi ndaj Mehmetit u shpall të martën nga kryetari i trupit gjykues Ngadhnjim Arrni.
Sipas aktgjykimit, i akuzuari u dënua me 3 vjet burgim për “Falsifikim të dokumentit zyrtar”, ndërsa u shpall i pafajshëm për “Marrje ryshfeti”.
I akuzuari obligohet të paguajë shpenzimet gjyqësore dhe atë 100 euro për paushallin gjyqësor dhe 50 euro për programin e kompensimit të viktimave.
Kundër këtij aktgjykimit, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në afat prej 30 ditëve në Gjykatën e Apelit.
Ndryshe, në 24 aktakuzat e dorëzuara nga ana e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, i pandehuri Mehmeti ngarkohej për kryerjen e veprave penale “Falsifikim i dokumentit zyrtar”nga neni 427, paragrafi 1 dhe “Marrje ryshfeti” nga neni 421, paragrafi 1 të Kodit Penal.
Sipas aktakuzave, ai akuzohej se në cilësi të ofiqarit të Gjendjes Civile në Komunën e Prishtinës, i cili tash gjendet në pension, kishte regjistruar dhe pajisur me dokumente identifikimi personat që nuk kanë plotësuar kriteret për t’u pajisur me to.
Mehmeti në cilësinë e zyrtarit të Gjendjes Civile akuzohej se në vazhdimësi, duke keqpërdorur detyrën e tij zyrtare, kishte futur në sistem persona të ndryshëm, duke i regjistruar fillimisht si persona të mitur e pastaj ka ndryshuar dhe regjistruar si persona madhor.
Në aktakuza, thuhet se veprimet e të pandehurit Mehmeti kanë ndodhur në kundërshtim me vendimin e ministrit të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), më 2020. Ky vendim përcaktonte se zyrtarët në degët e Komunës, nuk kishin të drejtë të regjistronin persona mbi moshën 18 vjeç për herë të parë, për të cilën punë ishin autorizuar zyrtarë tjerë.
Madje, sipas aktakuzave vendimi i MPB-së përcaktonte se askush nuk mund të merrte certifikatë pa qenë vetë prezent, të kishte dokument me foto ose dy dëshmitarë. Sipas aktakuzave, shumica prej këtyre personave, e që janë mbi 100 raste nuk kanë figuruar fare në librin amëz e për disa ka regjistrime fiktive në këtë libër.
Po ashtu, në aktakuza thuhet se përveç ndërrimit të vitit të lindjes, në disa raste ai akuzohet se u kishte mundësuar personave te caktuar ndërrimin dhe vjedhjen e identitetit, duke i regjistruar me emra dhe të dhëna tjera.
Kujtojmë se emisioni “Betimi për Drejtësi”, më 20 prill 2024 kishte publikuar hulumtimin me titullin “24 aktakuza nga nëntë prokurorë për veprat e njëjta penale, si i arsyeton Prokuroria”, ku tregohej se si ndaj ish-zyrtarit Mehmeti përveç dy aktakuzave për të cilat ishte gjykuar në shkallë të parë, ndaj tij, për lëndën e njëjtë do ngriteshin edhe 24 aktakuza tjera, të cilat i kishin trajtuar nëntë prokurorë. Prokuroria, ndonëse kishte mundësi që këto lëndë t’i bashkonte, rastin nuk e trajtoi se tërësi por të shpërndarë.
Hulumtimi tregon se si prokurorët kanë ngritur aktakuza varësisht nga kallëzimet penale që kishin shkuar në prokurori. Madje, disa prokurorë, kanë ngritur deri në tre aktakuza brenda ditës për veprimet e njëjta, që zyrtari akuzohet t’i ketë bërë në vazhdimësi.