Sipas Gjykatës Federale, personi i dënuar për vrasjen e kryer në vitin 2009 identifikohet fuqishëm me të drejtën zakonore tradicionale shqiptare – Kanunin.
Një kosovar i dënuar për vrasjen e gruas së tij nuk do të lirohet pas vuajtjes së dy të tretave të dënimit 20-vjeçar, siç është rregull, në rastet kur i dënuari ka sjellje korrekte gjatë vuajtjes së dënimit.
Gjykata Federale ka hedhur poshtë ankesën e tij, transmeton albinfo.ch. Ai kishte qëlluar gruan e tij në rrugë, në lokalitetin Riniken AG në vitin 2009, kur ajo donte të divorcohej prej tij.
Në një vendim të publikuar të enjten, Gjykata Federale mbështet pikëpamjen e Gjykatës Administrative të Aargaut, sipas së cilës mund të supozohet një prognozë e pafavorshme për personin tashmë 57-vjeçar. Për një lirim me kusht nuk bëhet fjalë në rrethanat e dhëna. Nga mesi i shtatorit 2022, ai kishte kryer dy të tretat e dënimit.
Një raport mjekësor ka zbuluar tek ai një çrregullim të kombinuar të personalitetit me komponentë narcistikë dhe paranojakë, shkruan sda.ch. Përveç kësaj, është identifikuar një gatishmëri “e natyrshme” e tij për të përdorur dhunën dhe një afinitet për armët.
Siç shihet nga vendimi i Gjykatës Federale, personi i dënuar identifikohet fuqishëm me të drejtën zakonore tradicionale shqiptare – Kanunin.
Duke marrë parasysh këta faktorë dhe terapinë ambulatore të pasuksesshme më parë, gjykata administrative kishte të drejtë të refuzojë kërkesën e të dënuarit për lirim me kusht, shkruan Gjykata Federale, përcjell albinfo.ch.
Kosovari thuhet gjithashtu se ka tërhequr vazhdimisht vëmendjen në burg për pamjen e tij arrogante, veçanërisht kur ndjente se i lëndohej krenaria.
Burri i dhunshëm kishte vrarë gruan e tij me pesë të shtëna. Ai e kishte bërë këtë sepse kishte perceptimin se nderi i familjes së tij ishte fyer.
Çifti kishte tre fëmijë së bashku. Para krimit, ai ishte arrestuar një herë pasi kishte kërcënuar me armë gruan e tij./Albinfo