Pas afateve ligjore që trupi gjykues vendosi në konferencën e fundit në Hagë, seancat ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit do të fillojnë pas një periudhe të pacaktuar.
Në konferencën për ecurinë e çështjes, kryetari i trupit gjykues urdhëroi mbrojtjen e të akuzuarve që deri më 2 qershor të dorëzojë mocionin për rrëzimin e pikave të aktakuzës. Pas kësaj, kërkoi nga Prokuroria që në afat prej 30 ditësh, më 1 korrik të kthejë përgjigje për mocionin, derisa urdhëroi mbrojtësin e viktimave që të dorëzojë listën me emrat e dëshmitarëve deri më 28 maj.
Sipas këtij planifikimi, avokatët e licencuar nga Dhomat e Specializuara në Hagë nuk presin që të ketë seanca gjyqësore në rastin ndaj krerëve të UÇK-së deri në korrik.
“Në këtë verë mendoj që nuk do të ketë seanca të tjera, por megjithatë procesi është në fund dhe pastaj menjëherë mund të fillohet me seanca. Më së pari duhet me prit çka do të ndodhë, a do të rrëzohen pikat e akuzës, sepse nëse e shikojmë realisht aktakuzën, pritja reale është me prit me u rrëzua në tërësi akuza. Mirëpo, duke e marrë parasysh procesin gjyqësor, veprat e rënda që janë, dëgjimi i shumë dëshmitarëve, nuk mund të presim rrëzimin komplet të akuzës, por është me rëndësi të rrëzohen disa nga pikat kryesore të akuzës, në mënyrë të veçantë pika ku është ndërmarrë e përbashkët kriminale. Ajo është e rëndësishme që të rrëzohet,” ka thënë Skënder Musa, avokat i licencuar.
Ngjashëm mendon edhe avokati Taulant Hodaj, sipas të cilit ky është procesi më i madh dhe unik në vetvete, me seanca të konsiderueshme të mbyllura për publikun.
“Kam shpresu që para pushimit të verës do të fillojë, të paktën të kryhet një pjesë e dëshmitarëve të mbrojtjes nëse ka, sepse s’do të ketë shumë, do të jenë një numër i vogël. Po nga ajo dje që u pa, është vështirë të pritet që mund të ketë ndonjë seancë apo do të merret e të dëgjohet ndonjë dëshmitar i propozuar nga mbrojtja për shkak të këtyre afateve për mocionin e hedhjes së pikave të aktakuzës. Mund ose disa seanca, një javë, dy javë të korrikut të vazhdojnë, ose në fillim të shtatorit apo fillim të gushtit të procedohet me ndonjë dëshmitar të mbrojtjes së të akuzuarve,” ka thënë Hodaj.
Sipas avokatëve, duke parë zhvillimet e deritanishme, ka shpresa që ky proces gjyqësor ndaj Thaçit dhe të tjerëve të ketë një epilog të shkallës së parë në fund të këtij viti.