Prishtinë – Një aksion i gjerë dhe i koordinuar i Policisë së Kosovës, i udhëhequr nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë Speciale, është duke u zhvilluar në mbarë vendin, me objektiv goditjen e veprimtarive të kundërligjshme.
Siç mëson ekskluzivisht Klankosova.tv, deri më tani janë arrestuar 10 persona të përfshirë në veprimtari kriminale, kryesisht lidhur me trafikimin e narkotikëve. Burime brenda operacionit bëjnë të ditur se numri i të arrestuarve pritet të rritet, pasi në pranga pritet të përfundojnë edhe të dyshuar të tjerë të cilët kanë qenë objekt i hetimit intensiv.
Operacioni, i cili është shtrirë në disa rajone të vendit, synon çmontimin e rrjeteve të krimit të organizuar dhe vënien para drejtësisë të individëve që kanë zhvilluar veprimtari të paligjshme. Gjatë këtij aksioni, pritet të sekuestrohen prova të shumta materiale, të cilat do të shërbejnë si dëshmi kyçe gjatë procesit gjyqësor.
Policia e Kosovës ka konfirmuar se operacioni është duke vazhduar dhe se detajet e plota do të bëhen publike pas përfundimit të të gjitha fazave të tij. Ky aksion dëshmon angazhimin e institucioneve të rendit për të luftuar krimin e organizuar dhe për të garantuar sigurinë publike në Kosovë.