Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi, ka reaguar pas dështimit të radhës për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, duke thënë se partia e tij është në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që pritet të qartësojë procedurat për votimin e kryetarit të Kuvendit.
Në deklaratën e dhënë për Klan Kosova, Abrashi kritikoi opozitën për bllokimin e procesit parlamentar, duke theksuar se zgjedhjet janë një proces demokratik dhe rezultati duhet të pranohet me përgjegjësi.
“Zgjedhjet janë një proces demokratik dhe në rastet kur nuk i fiton ato, minimalja e etikës politike, besa edhe njerëzore, është që të pranosh dhe të reflektosh karshi rezultatit,” – tha Abrashi.
Sipas tij, opozita po vepron me “inate politike pa ndonjë qëllim të qartë” dhe po e mban peng funksionimin e institucioneve të shtetit.
“Kjo nuk po ndodh për shkak të inateve politike pa ndonjë qëllim të qartë, dhe po e mbajnë peng Kuvendin e Republikës së Kosovës,” – deklaroi ai.
Abrashi tha se në këtë fazë Vetëvendosje po pret një vendim nga Gjykata Kushtetuese, që sipas tij do të ndihmojë në zgjidhjen e ngërçit aktual parlamentar.
“Ne jemi në proces të pritjes së vendimit të Gjykatës Kushtetuese, vendim i cili do ta sqarojë procedurën e votimit në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Kjo çështje është iniciuar në këtë institucion dhe na mbetet neve të presim atë vendim, në mungesë të reflektimit të deputetëve të opozitës,” – përfundoi Abrashi.
Seanca e 34-të për konstituimin e Kuvendit ka dështuar njësoj si të mëparshmet, duke e thelluar edhe më shumë krizën politike në vend.