Kryetari i Komunës së Junikut, Ruzhdi Shehu, ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook se është arritur një marrëveshje e rëndësishme për zhvillimin e infrastrukturës turistike në këtë komunë.
Në një ceremoni zyrtare të mbajtur sot, Shehu dhe Zëvendësministri në detyrë i Zhvillimit Rajonal, Elldin Uglari, kanë nënshkruar marrëveshjen për bashkëfinancimin e projektit “Përmirësimi i infrastrukturës lokale për rritjen e potencialit turistik në Komunën e Junikut”, me një vlerë prej 388,339 euro.
Sipas kryetarit Shehu, ky projekt do të ndikojë drejtpërdrejt në përmirësimin e qasjes në zonat turistike, në rrugët lokale dhe në ndërtimin e infrastrukturës mbështetëse, duke përmirësuar përvojën për vizitorët dhe duke sjellë përfitime për banorët lokalë.
“Me këtë projekt i japim hov zhvillimit të turizmit, duke e bërë Junikun më të qasshëm, më funksional dhe më të hapur ndaj mundësive të reja,” deklaroi Shehu.
Ky investim konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt shfrytëzimit të potencialit të pasur natyror dhe kulturor të Junikut, duke e pozicionuar atë si një destinacion tërheqës për turistët vendorë dhe të huaj.