Ministri i Jashtëm i Kroacisë, Gordan Grlić Radman, ka shprehur qartazi mbështetjen e vendit të tij për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, duke e konsideruar këtë një hap strategjik për të gjithë kontinentin.
Në një fjalim të mbajtur gjatë punimeve të Këshillit të Evropës, kryediplomati kroat theksoi se pranimi i Kosovës do të ndihmonte në plotësimin e boshllëkut ekzistues në arkitekturën evropiane të të drejtave të njeriut, duke kontribuar në stabilitetin dhe forcimin e vlerave demokratike në rajon.
“Aderimi i Kosovës do të eliminonte një boshllëk të madh në mbulimin kontinental të Këshillit të Evropës, duke siguruar standarde të njëjta të të drejtave të njeriut në të gjithë Ballkanin Perëndimor,” deklaroi Grlić Radman.
Deklarata e tij vjen në një moment vendimtar për diplomacinë kosovare, që prej muajsh ka intensifikuar përpjekjet për të fituar mbështetjen e vendeve anëtare të Këshillit të Evropës në funksion të një votimi për anëtarësim.
Për këtë qëndrim të hapur dhe të fortë në favor të Kosovës, ministrja e Jashtme në largim, Donika Gërvalla-Schwarz, ka reaguar përmes një postimi në platformën “X” (ish-Twitter), duke e falënderuar Kroacinë për mbështetjen e vazhdueshme.
“Faleminderit Kroacisë për përkrahjen e qartë dhe të fuqishme për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Kjo përkrahje është e një rëndësie të veçantë në rrugën tonë drejt integrimeve evropiane,” shkroi Gërvalla.
Kroacia, si një anëtare aktive e Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës, ka qenë një prej aleatëve më të qëndrueshëm të Kosovës në arenën ndërkombëtare. Mbështetja e saj konsiderohet kyçe për krijimin e një konsensusi më të gjerë në mesin e vendeve anëtare, veçanërisht atyre skeptike ndaj shtetësisë së Kosovës.
Grateful to 🇭🇷 FM @grlicradman for today’s clear message at @PACE_News:
— Donika Gërvalla-Schwarz (@gervallaschwarz) June 26, 2025
"Kosova’s admission would fulfill @coe 's founding mission… a strategic opportunity to strengthen European values across the continent."
Europe is stronger when united in values.https://t.co/QfRxRIvd2q