Gjykata e qarkut në Jerusalem ka refuzuar kërkesën e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu për të shtyrë dëshminë në procesin gjyqësor për korrupsion, pavarësisht thirrjeve të presidentit amerikan Donald Trump që ai të falet ose gjyqi të anulohet.
Të enjten, avokati i Netanyahut kërkoi një pezullim dyjavor të dëshmisë, duke pretenduar nevojën për t’u përqendruar në çështje të sigurisë pas konfliktit 12-ditor me Iranin.
Por gjykata vendosi se “forma aktuale e kërkesës nuk ofron bazë apo justifikim të detajuar për anulimin e seancave dëgjimore”.
Trump e quajti këtë proces një “gjueti shtrigash” dhe tha se Netanyahu, të cilin e përshkroi si një “hero i madh”, duhet të falet menjëherë.
Reagimi i Trumpit vjen në vazhdën e mbështetjes së tij për qeverinë izraelite gjatë konfliktit të fundit.
Netanyahu ka mohuar çdo akuzë për keqpërdorim të pozitës, ndërsa mbështetësit e tij këmbëngulin se procesi është i motivuar politikisht.
Ai dhe bashkëshortja e tij, Sara, përballen me akuza për pranim të dhuratave luksoze nga miliarderë në këmbim të favoreve, si dhe për përpjekje për të ndikuar në mbulimin mediatik të qeverisë.
Që nga nisja e procesit në vitin 2020, kryeministri ka kërkuar disa herë shtyrje të seancave, duke përmendur situatën në Gazë, luftimet në Liban dhe tensionet e fundit me Iranin.
Këto përpjekje për shtyrje janë parë me skepticizëm nga kritikët, të cilët i lidhin edhe me reformat kontroverse të sistemit gjyqësor që qeveria e tij ka propozuar.