Wichita, Kansas – Deontay Wilder është rikthyer fuqishëm në skenën e boksit profesionist, duke shënuar fitoren e parë pas tre vitesh.
Ish-kampioni botëror i peshave të rënda triumfoi me nokaut teknik në raundin e shtatë ndaj Tyrell Herndon, në një mbrëmje boksi të zhvilluar në “Charles Koch Arena”.
Wilder (44 fitore, 5 humbje, 1 barazim, 43 KO), i cili do të mbushë 40 vjeç në tetor, dha sinjale të qarta se është ende në lojë për sfida të mëdha, duke dominuar përballjen ndaj Herndonit (24-6, 15 KO), një kundërshtar modest që ofroi pak qëndresë.
“Bronze Bomber” e rrëzoi Herndonin dy herë – në raundin e dytë dhe të gjashtë – para se arbitri Ray Corona të ndalte ndeshjen në minutën e 2:16 të raundit të shtatë, duke shpallur fitoren me TKO për Wilder.
Pas ndeshjes, Wilder u shpreh i emocionuar me rikthimin:
“Ndjehem shumë mirë. Kam kaluar shumë, fizikisht dhe mendërisht. Kjo është një rrugë e re për mua dhe do të përmirësohem ndeshje pas ndeshjeje. Herndon ishte luftarak, e vlerësoj për këtë.”
Kjo ishte përballja kryesore e një mbrëmjeje të organizuar nga “Global Combat Collective” dhe “BLK Prime”, me transmetim PPV.
Ndonëse nuk erdhi me një nokaut të menjëhershëm si në të kaluarën, Wilder tregoi përmirësim të dukshëm teknik, duke përdorur jab-in në mënyrë strategjike, menaxhuar distancën dhe ndërtuar goditje të sakta që sollën rrëzimin e kundërshtarit.
Nën drejtimin e trajnerit të ri Don House dhe ndihmësit të vjetër Jay Deas, Wilder nisi ndeshjen me agresivitet të kontrolluar, çka sinjalizon një qasje më e pjekur në këtë fazë të karrierës së tij.
Pas humbjeve të rënda ndaj Tyson Fury, Joseph Parker dhe Zhilei Zhang, Wilder e konsideron këtë fitore si një “fillim të ri”. Ai ka paralajmëruar se synon të zhvillojë disa duele përgatitore gjatë vitit, përpara se të sfidojë emra të mëdhenj si Oleksandr Usyk dhe Anthony Joshua.
Tifozët dhe ekspertët e boksit tashmë presin të shohin nëse rikthimi i Wilder do të jetë i qëndrueshëm dhe nëse ai mund të rikthehet në garë për titujt botërorë.
💣 Deontay Wilder's 7th-round TKO win over Tyrrell Herndon.pic.twitter.com/IIyUbEgHPV
— EverythingBoxing | Darshan Desai (@EverythingBoxi2) June 28, 2025

