Policia në Ferizaj ka arrestuar gjatë natës së kaluar, rreth orës 02:00 pas mesnate, një person të moshës 22-vjeçare me inicialet P.R., i dyshuar për veprën penale “Posedim i paautorizuar i narkotikëve”.
Sipas njoftimit të policisë, hetimet paraprake kishin siguruar edhe një fotografi në të cilën dyshohej se i riu posedonte armë zjarri. Bazuar në këtë informacion, është ushtruar një urdhër kontrolli në fshatin Pleshinë.
Gjatë kontrollit, policia ka sekuestruar një pushkë të gjatë përsëritëse me 26 fishekë, një pushkë gjuetie të punuar dhe 12 fishekë të tjerë. Pas verifikimeve është konstatuar se armët i përkasin personit I.R., 47 vjeç, për të cilat posedonte leje të skaduar.
Me urdhër të prokurorit të shtetit, është iniciuar rast penal për veprën “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. Pas intervistimit, të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt.