MPJ në “luftë” me Presidencën? Ambasadat nën presion për faturat e vizitave presidenciale, jo të qeverisë

by engel

Në kohën kur Serbia ka intensifikuar ofensivën diplomatike kundër Kosovës, Ministria e Punëve të Jashtme (MPJ) e Kosovës duket se ka zgjedhur një prioritet tjetër: mbledhjen e detajuar të faturave nga ambasadat për shpenzimet gjatë vizitave të Presidentes Vjosa Osmani.

Burime të Klanit brenda misioneve diplomatike të Kosovës kanë bërë të ditur se ambasadat ndodhen nën presion të vazhdueshëm, përmes email-eve dhe telefonatave, për të raportuar deri në detaje si sa litra naftë janë përdorur, apo sa shishe ujë janë konsumuar gjatë vizitave të Presidentes.

banner

Kjo kërkesë, që nuk përfshin edhe shpenzimet e Kryeministrit apo ministrave të tjerë, po cilësohet nga zyrtarë të ambasadave si e turpshme dhe e paprecedentë në praktikën diplomatike. Një ambasador, që ka folur në kushte anonimiteti, thotë se mbulimi i transportit apo pritjeve zyrtare për një president është standard diplomatik ndërkombëtar, dhe se kjo situatë po i vendos ata në pozitë të sikletshme para homologëve të vendeve pritëse.

“Kjo nuk ka ndodhur kurrë më parë që nga themelimi i ambasadave në vitin 2008. Askush nuk ka kërkuar kurrë detaje të tilla për një president,” ka thënë ai.

Nga Presidenca e Kosovës, për Klanin kanë konfirmuar se nuk janë informuar nga MPJ për një kërkesë të tillë. Ata theksojnë se nuk kanë asgjë për të fshehur, pasi të gjitha shpenzimet janë publike dhe se ambasadat kanë vepruar sipas detyrave të tyre kushtetuese.

“Është e papranueshme dhe për turp që ambasadave u kërkohen të dhëna të tilla banale për transportin e një Presidenti. Nëse vërtet synohet transparenca, atëherë të publikohen të gjitha shpenzimet – edhe të qeverisë, jo vetëm të Presidentes,” thuhet në reagimin zyrtar.

Presidenca ka paralajmëruar se do t’u kundërvihet me çdo mjet ligjor dhe kushtetues përpjekjeve që e cilëson si “luftë politike të paprecedentë ndaj Presidentes në përmbushje të detyrës së saj kushtetuese si udhëheqëse e politikës së jashtme”.

Nga ana tjetër, nuk ka pasur ndonjë kërkesë të ngjashme të adresuar ambasadave për shpenzimet e Kryeministrit apo ministrave gjatë vizitave jashtë vendit, çka ka ngritur dyshime për një qasje selektive dhe me prapavijë politike.

Në vend që të forcohet diplomacia dhe të konsolidohen frontet e jashtme përballë agresivitetit të Serbisë, institucionet në Prishtinë duket se po zhvillojnë betejat më të ashpra brenda vetes – në kurriz të imazhit të shtetit dhe funksionimit të përfaqësimit të tij ndërkombëtar.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy