Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, mori pjesë sot në ceremoninë zyrtare të hapjes së spitalit të ri brenda Innovation and Training Park (ITP) në Prizren, një projekt i rëndësishëm në fushën e kujdesit shëndetësor që do të menaxhohet nga kompania italiane GVM Care and Research.
Ky spital përfaqëson një pikë kyçe të zhvillimit të inovacionit në sektorin shëndetësor, si dhe një model të suksesshëm të bashkëpunimit ndërmjet sektorit publik, privat dhe akademik në rajon.
Kryetari Totaj theksoi rëndësinë e këtij investimi për qytetarët e Prizrenit dhe më gjerë, duke vlerësuar kontributin e partnerëve italianë në avancimin e infrastrukturës shëndetësore në Kosovë.
“Ky projekt është dëshmi e besimit që investitorët ndërkombëtarë kanë në potencialin e qytetit tonë dhe një hap i madh drejt modernizimit të shërbimeve shëndetësore për qytetarët tanë,” deklaroi Totaj gjatë ceremonisë.
Spitali i ri në ITP do të ofrojë shërbime të specializuara mjekësore, duke sjellë teknologji të avancuar dhe qasje të reja në trajtimin e pacientëve, si dhe do të shërbejë si qendër trajnimi për profesionistët e rinj të shëndetësisë.
Ky është një nga investimet më të mëdha italiane në sektorin shëndetësor në Kosovë, me ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen e cilësisë së kujdesit mjekësor dhe në zhvillimin ekonomik të rajonit të Prizrenit.