Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka bërë një thirrje të ashpër ndaj Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), duke kërkuar pezullimin e menjëhershëm të vendimit për përjashtimin e bizneseve nga tregu i rregulluar i furnizimit me energji elektrike. Sipas saj, nëse ky vendim nuk tërhiqet sot, ZRRE do të mbahet mend si “armiku më i madh i ekonomisë në vend”.
Deklarata e Bajramit vjen pas vendimit të Gjykatës Komerciale për pezullimin e përkohshëm të këtij vendimi të ZRRE-së, i cili detyronte bizneset me mbi 50 punëtorë ose me qarkullim mbi 10 milionë euro në vit të kalonin në tregun e liberalizuar të energjisë elektrike.
“Janë në rrezik mbi 140 mijë vende pune. Po na vjen një valë e re inflacioni që do të prekë secilin qytetar. E kemi thënë që në fillim – nuk ka kushte për treg të lirë, as përgatitje nga institucionet, as nga bizneset. Sot, shumë prej tyre ende nuk kanë marrë faturat për muajin qershor”, tha Bajrami.
Ajo kërkoi reagim të menjëhershëm nga Prokuroria, duke e akuzuar bordin e ZRRE-së për punë në interes të grupeve të caktuara dhe jo të publikut.
“Prokuroria nuk duhet të ketë pardon për bordin e ZRRE-së. Janë njerëz të paguar me para publike që po punojnë për interesa private. Nëse nuk vepron sot, kur do?”, theksoi Bajrami.
Deputetja parashtroi edhe disa pyetje publike për ZRRE-në:
Pse bizneset e përjashtuara nuk i kanë ende faturat e muajit qershor?
Pse importi i energjisë në qershor është rritur për 800% në krahasim me majin?
Kush po përfiton nga kjo skemë?
Sipas saj, përfituesit tashmë janë të njohur dhe përfshijnë kompani si EFT-ja e Vuk Hamoviqit dhe operatorë tjerë të vegjël, si dhe kompani të licencuara së fundmi nga ZRRE që, sipas saj, kanë lidhje të ngushta me politikën.
“ZRRE po sakrifikon prodhimin vendor dhe mijëra vende pune për interesa mafioze. Kjo nuk mund të kalojë pa hetim. Prokuroria, o sot, o kurrë!”, përfundoi ajo.