Vetëm edhe dy javë afat për aplikim në Zgjedhjet Lokale të 12 tetorit – KQZ paralajmëron verifikime të rrepta për kandidatët

by engel

Vetëm edhe dy javë kanë mbetur për subjektet politike që të dorëzojnë aplikimet për pjesëmarrje në Zgjedhjet Lokale të 12 tetorit, si dhe listat me emrat e kandidatëve për kryetarë komunash dhe për anëtarë të kuvendeve komunale.

Afati për dorëzim të aplikimeve, i cili nisi më 26 qershor, përfundon më 13 gusht 2025, ka bërë të ditur zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi.

banner

Sipas Elezit, përveç aplikimit formal, subjektet politike dhe kandidatët do t’i nënshtrohen një procesi rigoroz verifikimi për të përcaktuar përputhshmërinë e tyre me kriteret ligjore të përcaktuara në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe Ligjin për Zgjedhjet Lokale.

“Subjektet kanë të drejtën të vendosin në cilat komuna do të garojnë dhe nëse do të kandidojnë vetëm për Kryetar Komune, vetëm për Kuvend Komunal apo për të dyja njëkohësisht,” theksoi Elezi.

Kush nuk mund të kandidojë?

Bazuar në nenin 30 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, disa kategori personash përjashtohen automatikisht nga e drejta për t’u certifikuar si kandidat, si:
Zyrtarë publikë me status të veçantë;
Anëtarë të KQZ-së ose Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve;
Zyrtarë të PZAP-it;
Personat që u është hequr e drejta për të kandiduar me vendim gjyqësor;
Të dënuarit me një ose më shumë vjet burgim efektiv në tri vitet e fundit;
Ata që nuk kanë paguar gjobat e shqiptuara nga KQZ ose PZAP;
Kandidatët që nuk kanë respektuar urdhrat e PZAP-it.

Po ashtu, sipas nenit 9 të Ligjit për Zgjedhjet Lokale, kushdo që garon për kryetar komune duhet të ketë qenë banor i asaj komune për së paku 3 vite para kandidimit.

KQZ ka bërë të ditur se do të kërkojë verifikim të listës së kandidatëve në bashkëpunim me Këshillin Gjyqësor të Kosovës (KGjK), për të siguruar se asnjë kandidat me dënim penal nuk i shmanget ligjit.

“Kandidat nuk mund të jetë një person i dënuar në tri vitet e fundit me një ose më shumë vjet burgim efektiv. Kjo do të verifikohet me të dhëna zyrtare nga KGjK-ja,” sqaroi Elezi.

Zgjedhjet e 12 tetorit janë të tetat me radhë për kuvendet komunale dhe të gjashtat për kryetarët e komunave, ndërsa KQZ ka bërë të qartë se do të zbatojë me përpikëri ligjin për të garantuar integritetin e procesit.

Me mijëra kandidatë të pritshëm, këto dy javë të mbetura janë vendimtare për partitë politike, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur që synojnë të garojnë në një proces zgjedhor që këtë vit po paralajmëron kontroll më të rreptë dhe më shumë transparencë se kurrë më parë.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy