Një vizitë familjare në Akuariumin e San Antonios në SHBA përfundoi në makth kur një oktapod gjigant sulmoi një fëmijë 6-vjeçar, duke e kapur për dore dhe duke mos e lëshuar për disa minuta.
Incidenti ndodhi më 14 korrik, në zonën interaktive “Takime me Kafshët” të këtij akuariumi, ku fëmijët lejohen të prekin dhe bashkëveprojnë me kafshë si armadillot, pinguinët, lemurët dhe oktapodët. Leon, djali i vogël që u bë viktimë e episodit, kishte frekuentuar akuariumin për tre vite me radhë dhe kishte krijuar një “lidhje të veçantë” me oktapodin.
Sipas nënës së tij, Britney Taryn, e cila publikoi ngjarjen në TikTok përmes një videoje që u bë virale, oktapodi doli nga uji, u ngjit mbi xham dhe i kapi djalin për dore me tentakulat e tij. “U deshën tre punonjës të akuariumit për ta hequr. Djali im përfundoi me mavijosje në të gjithë krahun e djathtë, nga kyçi deri në sqetull”, shprehet ajo për stacionin lokal KSAT.
Taryn tregon se gjatë incidentit nuk kishte asnjë punonjës pranë për të ndërhyrë, dhe ajo bashkë me një mike të saj u detyruan të bërtisnin për ndihmë. Në fund, u deshën pesë minuta dhe ndihma e dy anëtarëve të stafit për të shkëputur oktapodin nga krahu i Leonit.
Ngjarja ka ngjallur shqetësim për sigurinë e fëmijëve në ambiente të tilla. Nëna ka paraqitur një ankesë pranë Departamentit të Bujqësisë së SHBA-së, ku denoncon se djali pësoi lëndime fizike dhe se stafi i akuariumit minimizoi rrezikun. Ajo thekson gjithashtu se zakonisht pranë oktapodit kishte një punonjës për mbikëqyrje, por këtë herë mungesa e stafit dhe reagimi i vonuar i shtuan rrezikun.
Për më tepër, në TikTok ajo ndau një video ku shihet një punonjës tjetër i akuariumit që kapet nga i njëjti oktapod. “Nëse do të donte, mund të më kafshonte. Thjesht i do njerëzit”, dëgjohet duke thënë punonjësi në video.
Ngjarja ka hapur debat për masat e sigurisë dhe menaxhimin e kafshëve në ekspozita të hapura për fëmijët.