Policia e Kosovës ka njoftuar për dy incidente të ndara në Fushë-Kosovë dhe Pejë, ku zyrtarë policorë janë sulmuar apo penguar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare. Në të dy rastet, të dyshuarit janë arrestuar dhe intervistuar, por me vendim të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt.
Rasti i parë ka ndodhur në Fushë-Kosovë, në rrugën “Pajazit Islami”, kur një person fillimisht ka tentuar t’i godasë me veturë policët dhe më pas ka sulmuar njërin prej tyre me një telefon. Si pasojë, dy zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime. Ngjarja është regjistruar më 5 gusht rreth orës 16:15.
Ndërkohë, në Pejë, në rrugën “Mbretëresha Teutë”, një person është arrestuar pasi dyshohet se ka kanosur dhe penguar një polic gjatë shqiptimit të një gjobe për shkelje trafiku. Edhe ky rast është cilësuar si “pengim i personit zyrtar në kryerje të detyrës”.
Policia ka bërë të ditur se të dy rastet po trajtohen nga organet kompetente përmes procedurave ligjore përkatëse.