Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar ndaj pretendimeve të Ministrisë së Drejtësisë së Serbisë se Igor Popoviq ka pranuar fajësinë “nën detyrim” për nxitje të urrejtjes dhe mosdurimit.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Haxhiu e ka cilësuar këtë deklaratë të Serbisë si të pavërtetë, duke theksuar se vetë Popoviq dhe avokati i tij, gjatë seancës gjyqësore, kanë pranuar publikisht – me zë dhe figurë – se pranimi i fajësisë dhe marrëveshja janë bërë me vullnet të plotë.
“Shteti i Serbisë jo vetëm që keqpërdor vizitat zyrtare në vendin tonë përmes zyrtarëve të saj duke nxitur urrejtje dhe përçarje, por vazhdon propagandën e saj edhe pas marrëveshjeve me institucionet e Republikës së Kosovës për pranim të fajësisë si në rastin e Igor Popoviq.
Ministria e Drejtësisë së Serbisë ka dalë me akuzë tjetër të rreme duke thënë se zyrtari i saj e ka pranuar fajësinë nën kushte presioni. Por, në videon më poshtë mund ta shihni se jo vetëm i akuzuari Popoviq, por edhe vetë avokati i tij theksojnë se me vullnet të plotë është bërë si pranimi i fajësisë ashtu edhe marrëveshja,” ka shkruar Haxhiu.
Ajo shtoi se Serbia po gjykon Kosovën me “kutin” e saj, por duhet të kuptojë se Kosova është një vend demokratik, ku sundimi i ligjit dhe dinjiteti njerëzor janë të garantuara, dhe ku pushtetet janë të ndara qartë.