Politikani dhe ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Valon Murati, ka komentuar protestën e organizuar së fundmi nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK), ku mijëra qytetarë u mblodhën për të protestuar kundër veprimtarisë së Gjykatës Speciale, të njohur si Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Murati theksoi se pjesëmarrja e gjerë në protestë dëshmon përkrahjen e vazhdueshme të popullit për luftën çlirimtare dhe për të vërtetën historike të saj. Sipas tij, pavarësisht sfidave dhe padrejtësive që ai thotë se shoqërojnë procesin gjyqësor ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së, sakrifica e kësaj ushtrie do të mbetet në zemrën dhe kujtesën kolektive të shqiptarëve.
“Lufta dhe sakrifica e UÇK-së do të jetë gjithmonë në piedestalin më të lartë të popullit tonë. Kjo protestë ishte një reagim legjitim ndaj shkeljeve që po ndodhin në këtë proces,” tha Murati.
Ai vlerësoi se tubimi ishte i gjerë dhe i larmishëm në përbërje, duke përfshirë qytetarë nga kategori të ndryshme të shoqërisë, çka sipas tij është një sinjal pozitiv për unitetin që ekziston rreth çështjeve të drejtësisë dhe kujtesës historike.
“Po besoj që mesazhet janë disa, në radhë të parë ishte protestë me pjesëmarrje të kategorive të ndryshme të njerëzve, që është një shenjë e mirë. Tregon që ende ka vetëdije për ta mbrojtur të vërtetën e luftës sonë,” theksoi ai.
Murati gjithashtu u shpreh se diskutimet e mëhershme rreth votimit të ligjit për Gjykatën Speciale janë tashmë pjesë e së kaluarës, por që tani më shumë se kurrë kërkohet një konsensus i brendshëm për mënyrën se si Kosova duhet të përballet me këtë proces që vazhdon të jetë i vështirë dhe i ndjeshëm.
“Votimi ose mosvotimi i ligjit për Gjykatën Speciale është pjesë e historisë, por sot duhej të kishte konsensus se si do të duhej të vazhdojmë të merremi me këtë proces, derisa ai po vazhdon,” përfundoi Murati.
Protesta e OVL-UÇK-së është parë si një nga tubimet më të mëdha publike në mbrojtje të figurave të luftës dhe si një thirrje për drejtësi të paanshme dhe respektim të sakrificës çlirimtare.